Një grua që pretendon të jetë vajza e legjendës së futbollit Pelé, i cili vdiq në vitin 2022, ka zbuluar se i ka kërkuar një gjykate në Sao Paulo që të zhvarroset trupi i tij pasi testi i parë i ADN-së doli negativ. Ajo ka thënë se nuk po e bën këtë për ndonjë përfitim, por shprehet e bindur se ajo është e bija e legjendës braziliane.
“Unë nuk e bëj për para, nuk ka dallim që unë të jem vajza e Peles apo e dikujt tjetër që nuk ka para”, tha Maria do Socorro Azevedo, 60 vjeç, për Record TV.
Sipas gruas, nëna e saj, tashmë e ndjerë, pati një takim romantik me Pelen në São Luis, kryeqyteti i shtetit të Maranhão, por kurrë nuk i zbuloi atij se kishte mbetur shtatzënë.
Edson Arantes do Nascimento, i cili vdiq nga kanceri i zorrës së trashë, në moshën 82 vjeçare, më 29 dhjetor 2022, kishte përmendur në testament mundësinë e një vajze tjetër dhe kishte vendosur t’i nënshtrohej një testi të ADN-së, por ai vdiq para se të mund të bëhej testimi.