Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore ka mbajtur konferencën vjetore me temën: “Aspekte dhe sfida të edukimit në trashëgimi kulturore”.
Kryetarja e Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Zanita Halimi tha se është e domosdoshme që të rritet vetëdija për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
“E vetmja mënyrë për të shpëtuar këto arritje është transmetimi i njohurive. Rëndësia e edukimit për trashëgimi kulturore është e padiskutueshme, përpjekjet për ta ruajtur trashëgiminë kulturore është rritur kudo në botë kohëve të fundit. E dimë që përmes trashëgimisë kulturore marrim njohuri, por atyre u bashkohet edhe aftësia për reflektim të të rinjve”, ka thënë ajo.
Këshilltarja e ministrit të Kulturës, Nora Arapi tha se gjatë këtij viti kanë zhvilluar dy programe dhe kanë ndërmarrë masa emergjente me qëllim të mbrojtjes se trashëgimisë kulturore.
“Në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore kemi ndërmarrë masa emergjente dhe programe të restaurimit. Gjatë këtij procesi kemi qenë në bashkëpunim me Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Edukimi, vetëdijesimi dhe promovimi i vlerave të trashëgimisë kulturore është jetik. Jemi të vetëdijshëm që këtu qëndrojmë më keq, rezultatet nuk janë ato qe kanë qenë të pritshme”, ka shtuar Arapi.