UBT News

Kërcënimet me bomba përfshijnë fluturime gjithandej Evropës

Një valë e re kërcënimesh me bomba përfshiu fluturimet e pasagjerëve në Evropë të enjten në mëngjes, për herë të dytë brenda kësaj jave.

Për shkak të kërcënimeve, disa avionë u detyruan të ndryshonin itinerarin dhe të uleshin në aeroporte të tjera – disa prej tyre nën përcjellje të forcave të sigurisë.

Deri më tani, asnjë nga kërcënimet nuk u konfirmua si i vërtetë.

Ende nuk dihet se kush qëndron pas tyre.

Këto incidente ndodhin në një kohë kur zyrtarët evropianë akuzojnë Rusinë dhe Iranin për sulme hibride dhe akte sabotimi në Evropë.

Të dyja vendet i mohojnë akuzat dhe nuk ka dëshmi të konfirmuara që sugjerojnë përfshirjen e tyre.

Një avion i kompanisë irlandeze, Aer Lingus, që po fluturonte nga Dublini drejt Romës, u devijua për arsye sigurie dhe u ul pa probleme në aeroportin Evreux, rreth 100 kilometra në perëndim të Parisit, njoftoi kompania.

Edhe në Bullgari, tre avionë u detyruan të kryenin ulje të paplanifikuara për shkak të kërcënimeve me bomba.

Sipas autoriteteve bullgare, dy avionë që vinin nga Kopenhaga dhe Madridi u ulën të sigurt në aeroportin e Sofjes.

Një avion i tretë, që po udhëtonte nga Londra, u devijua drejt aeroportit të Plovdivit, qytetit të dytë më të madh të Bullgarisë, raportuan mediat lokale.

 

Edhe Çekia, Italia dhe Polonia raportojnë kërcënime me bomba

Policia çeke njoftoi të enjten se katër avionë që po fluturonin drejt Pragës, kishin marrë kërcënime me bomba.

Autoritetet u përgatitën për uljen e tyre, ndonëse vlerësuan se kërcënimet kishin pak gjasa të ishin të vërteta.

Në Itali, Forcat Ajrore shoqëruan një avion të kompanisë Finnair, që po fluturonte nga Helsinki drejt Romës. Avioni u ul pa probleme në destinacion.

Një tjetër fluturim i Finnair-it nga Helsinki, i operuar nga kompania Jettime, mori kërcënim me bombë, por u ul normalisht në Vjenë.

Kompania polake LOT njoftoi se një avion që po fluturonte nga Varshava drejt Brukselit, u ul pa probleme pas një paralajmërimi për sigurinë. Kontrollet nuk zbuluan asgjë të dyshimtë.

Një tjetër avion i LOT-it, që po përgatitej të nisej drejt Parisit, u ndal para ngritjes dhe pasagjerët u transferuan në një avion tjetër, si masë paraprake.

Sipas mediave italiane, një avion i kompanisë Wizz Air, që po udhëtonte nga Milano drejt Varshavës, u devijua dhe u ul në Vjenë për shkak të një kërcënimi me bombë.

Komisionari i Bashkimit Evropian për Transport, Apostolos Tzitzikostas, tha se është ende herët të përcaktohet nëse kërcënimet e njëpasnjëshme me bomba ndaj fluturimeve në Evropë, janë të lidhura mes vete.

 

Vala e dytë e kërcënimeve brenda javës

Të martën, të paktën shtatë avionë dhe një anije turistike morën kërcënime me bomba, duke shkaktuar ndërprerje dhe vonesa në aeroporte të ndryshme evropiane. Megjithatë, gjatë kontrolleve nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes.

Incidentet vijnë në javën kur hakerë ende të paidentifikuar nxorën jashtë funksionit sistemet e ftohjes në supermarkete në disa vende evropiane.

Disa ekspertë vlerësojnë se kërcënimet e rreme me bomba mund të jenë pjesë e një modeli të ngjashëm veprimesh, që synojnë të shkaktojnë çrregullime me kosto të ulët dhe pa lënë gjurmë të qarta për autorët.

Eliran Almog, drejtor ekzekutiv i kompanisë së sigurisë kibernetike në aviacion, Cyviation, tha për agjencinë Reuters se kërcënimet e përsëritura mund të kenë dy qëllime: të pengojnë funksionimin normal të fluturimeve dhe të testojnë reagimin e kompanive ajrore, aeroporteve dhe autoriteteve shtetërore.

Ai paralajmëroi se ndërprerjet në shërbime të rëndësishme shkaktojnë humbje ekonomike dhe mund të minojnë besimin e publikut. /REL/

 

Exit mobile version