UBT News

Kërcënime me bomba në qindra shkolla në Gjermani dhe Danimarkë

Qindra shkolla në Gjermani dhe Danimarkë kanë pranuar kërcënime për bomba përmes postës elektronike të hënën, duke shënuar vazhdimin e një vale alarmesh të rreme që po godasin së fundmi institucionet arsimore nëpër Evropë.

Autoritetet gjermane bënë të ditur se rreth 450 shkolla në mbarë vendin janë prekur nga këto mesazhe, por theksuan se nuk ka asnjë rrezik real. Policia në Freiburg deklaroi se nuk ekziston asnjë provë për kërcënim konkret, ndërsa edhe policia e Berlinit dhe ajo në landin e Turingisë u kanë kërkuar shkollave të vazhdojnë procesin mësimor normalisht, duke vlerësuar se qëllimi i autorëve është vetëm përhapja e panikut.

Një situatë e ngjashme është raportuar edhe në Danimarkë, ku policia konfirmoi se po heton kërcënimet e dërguara ndaj disa shkollave në të gjithë vendin, por shtoi se aktualisht nuk ka arsye për shqetësim.

Këto raste vijnë pas një serie alarmesh të rreme me bomba dhe sulmesh kibernetike që kanë prekur së fundmi shkolla, supermarkete, sisteme të trafikut ajror dhe media në disa vende evropiane. Vetëm javën e kaluar u evakuuan mbi 10 shkolla në Spanjë, ndërsa në fillim të këtij muaji mijëra shkolla në Itali u përballën me kërcënime të njëjta përmes emailit. /E.A/

Exit mobile version