UBT News

Këngëtarja kineze nxit reagime për paraqitjen me veshje të D&G në klip

Pothuajse tri vjet pas brendi i modës u akuzua për racizëm pas një reklame dhe pas mesazheve fyese që thuhet se janë dërguar nga themeluesi i brendit Dolce & Gabbana, Stefano Gabbana, D&G ende vazhdon të jetë e padëshirueshme në rrjetet sociale kineze.

Gjatë fundjavës, ylli i Hong Kong-ut, Karen Mok “ndezi zjarrin” në rrjete sociale, pas paraqitjes së saj me veshje të brendit D&G në klipin e këngës “A Woman for All Seasons”.

Reagimi i fansave ishte shumë i shpejtë. Ata publikuan një video rreth kësaj çështje me një hashtag, e kjo video që nga e enjtja u shikua 490 milionë herë në faqen kineze Weibo.

Gjestin e saj e konsideruan fyerje ndaj Kinës, teksa kishte edhe prej atyre që e cilësonin “si person me dy fytyra që synim e ka vetëm të fitojë para”, megjithëse kishte edhe të atillë që e mbronin këngëtaren.

E nga studio e saj lëshuan një deklaratë, në të cilën thuhej se “ata i kontrollojnë të gjitha markat”, por sipas tyre “ishte një neglizhencë” në këtë rast.

“Shpresojmë që publiku do të na falë”, thuhet në deklaratë. Videoklipi pastaj është larguar nga kanalet zyrtare.

“Ju kërkoj falje që u tregova e pamatur këtë herë. Nuk kam asnjë justifikim”, deklaroi Mok para gazetarëve.

Ky veprim i saj veçse e rëndoi reputacionin e markës në Kinë. Gjithçka nisi në vitin 2018 kur D&G realizoi disa reklama të cilat u cilësuan raciste, ku shfaqej një modele kineze duke ngrënë pica e makarona me shkopinj.

Çështja u përkeqësua edhe më shumë kur u publikuan mesazhet private në Instagram të themeluesit të brendit, Stefano Gabbana, i cili fliste me një ton nënçmues për Kinën dhe popullin kinez./UBTNews

Exit mobile version