UBT News

Këndi i librit: Panairi i Botimeve Akademike e Shkencore në Tiranë

Në hijen e qytetit të Tiranës, në këndin që përshëndet dijen me të gjitha hovet e saj, një ngjarje e rëndësishme po zhvillohet. Panairi i tretë mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor ka filluar në qytetin e Tiranës, më datë 23 prill dhe do të zgjasë deri më 25 prill të këtij muaji. Ky panair është rezultat i një nisme të përbashkët të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, duke sjellë së bashku frymën dhe pasionin për dijen dhe kërkimin.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës kanë publikuar programin e ngjarjes dhe në vizionin e evenit kanë shkruar se qëllimi i këtij panairi është të bëjë të njohura arritjet më të rëndësishme në botimet akademike, shkencore dhe universitare, duke u fokusuar në promovimin e shkencëtarit dhe studiuesit shqiptar në skenën ndërkombëtare.

“Nëpërmjet këtij panairi, kemi synuar të tregojmë se libri akademik dhe shkencor është një pasuri e përbashkët që kërkon angazhim të përbashkët për të arritur lexuesin dhe për të shpërndarë dijen në mënyrë të drejtë dhe efektive”, shkruhet në programin e ASHAK-ut.

Tri ditët e këtij panairi do të jenë një festë e dijes, një festë ku autorët, botuesit, akademikët, studiuesit dhe të gjithë ata që janë të lidhur me botimin dhe kërkimin shkencor do të bashkohen për të ndarë ide, për të promovuar punën e tyre dhe për të diskutuar mbi temat më të rëndësishme të dijes shqiptare. Në ditën e parë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë sjell një prezantim të veçantë për organizimin e çmimeve shkencore për vitin 2024. Në këtë prezantim, prezantuesit kryesorë janë Akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i ASH, dhe Akad. Shaban Sinani, Sekretar shkencor i ASH.

Në Seksionin e Gjuhësisë dhe Letërsisë të ASHAK, do të shfaqen vepra të shquara si “Kënga e cjapit”, një dramë klasike shqiptare e autorit akademik Kujtim Shala, dhe “Shqipja standarde sot”, materiale të një konference shkencore të drejtuar nga Prof. Sabri Hamiti. Botimet në këtë seksion do të paraqiten nga Prof. Nysret Krasniqi, akad. Kujtim Shala, akad. Rexhep Ismajli, prof. Bardh Rugova, dhe prof. Shkumbin Munishi, në Institutet Albanologjike (sheshi Nënë Tereza, nr. 3).

Poashtu për një fjalë përshëndetëse do të prezantohet dr. Aleš Bošnjak, drejtor i Institutit të Shkencave të Informacionit, Slloveni. Më pas, Msc. Mirlona Buzo, drejtuese e QKPISH, do të prezantojë qendrën në një seancë të veçantë.

Gjatë Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe e së Drejtës së Autorit, kalendari i promovimeve për ditën e parë, 23 prill 2024, përfshinë një gamë të gjerë të aktiviteteve. Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike do të prezantojë konferenca të tilla si “Shteti i së drejtës në proceset integruese të Shqipërisë” dhe “Mbi zhvillimin e mirëqenies”. Më pas, MEKI, QKLL dhe DDA do të trajtojnë temat e librit akademik dhe të drejtën e autorit. Në fund, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Qendra e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike do të prezantojnë projekte dhe botime të rëndësishme në fushën e dijes dhe kulturës shqiptare, ku për tri ditë rresht do të ketë prezantime të ndryshme të punimeve shkencore.

Panairi është një ngjarje e rëndësishme që mbledh një varg të gjerë pjesëmarrësish nga institucionet dhe organizatat më të rëndësishme të dijes dhe kulturës në hapësirën shqiptare. Disa nga pjesëmarrësit kryesorë janë Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës janë pjesëmarrësit kryesorë, që përfaqësojnë elitën shkencore dhe kulturore të dy vendeve. Në aspektin shkencor, institute dhe qendra shkencore publike nga Shqipëria dhe Kosova si Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, dhe shumë të tjera janë prezente për të ndarë studimet dhe zbulimet e tyre. Universitetet publike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë të përfaqësuara gjithashtu. Institucionet e arsimit të lartë si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Shkupit dhe shumë të tjera sjellin kontributin e tyre në fushën e dijes dhe edukimit.

Nga ana e enteve botuese jopublike, Shtëpia botuese Toena, Shtëpia botuese Argeta LMG dhe Qendra e Botimeve për Diasporën janë pjesë e kësaj ngjarjeje, duke prezantuar botimet e tyre të fundit dhe duke promovuar kulturën letrare dhe shkencore.

Kjo pjesëmarrje e gjerë dhe e diversifikuar shënon një bashkëpunim të ngushtë midis aktorëve të dijes dhe kulturës, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe njohurive në nivel kombëtar dhe rajonal./UBTNews/

© Dionesa Ebibi

Programin e plotë mund ta gjeni në këtë link: https://ashak.org/panairi-i-3-te-mbarekombetar-i-librit-akademik-dhe-shkencor/

Exit mobile version