UBT News

KEDS bën me rrjet nëntokësor sheshin e qytetit të Suharekës

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka përmbyllur projektin e shtrirjes së rrjetit elektrik nëntokësor në sheshin e qytetit të Suharekës. Ky shesh tashmë ka marrë pamje krejt tjetër ku me dhjetëra shtylla elektrike janë larguar nga qendra e qytetit.

KEDS bënë me rrjet nëntokësor sheshin e qytetit të Suharekës

Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me Komunën e Suharekës, ndërsa është vazhdimësi e investimeve që KEDS po realizon gjithandej vendit në shtrirjen e rrjetit nëntokësor.

Avni Alidemaj, këshilltar ekzekutiv në KEDS, tha se pos shërbimeve më kualitative, po ofrojnë siguri më të madhe për qytetarët që vizitojnë sheshin e Suharekës.

“Ka qenë një kërkesë e kryetarit të Komunës (së Suharekës) për të bartur rrjetin ajror në nëntokësor, meqë Komuna ka paraparë që të rregullojë sheshin dhe ne si KEDS iu kemi përgjigjur pozitivisht kryetarit dhe bashkërisht me Komunën kemi bërë të mundshëm bartjen e rrjetit ajror në atë nëntokësor. […] e me këtë projekt kanë përfituar diku rreth 700 konsumatorë të qytetit të Suharekës”, tha ai.

Përveç sheshit të Suharekës, Alidemaj tha se KEDS dhe Komuna kanë paraparë edhe projekte të tjera përmes të cilave do të përfitojnë banorët e këtij qyteti, e që investimet pritet të jenë mbi 1 milion euro.

Këtë investim e ka mirëpritur edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili tha se ky projekt është ndër më të rëndësishmit për komunën që e udhëheq.

Muharremaj tha se përmes këtij projekti kanë arritur të ndryshojnë pamjen e sheshit kryesor të qytetit, derisa potencoi se tashmë ka edhe më shumë siguri për qytetarët.

Këtë investim e kanë mirëpritur edhe qytetarët e Komunës së Suharekës, të cilët shprehen se sheshi ka marrë pamje shumë më të mirë.

“Qyteti është shumë i bukur për shkak se i kanë heq telat në lartësi dhe i kanë shti nëntokë dhe është çdo send në rregull. Shumë ndjehemi më të sigurt dhe jemi më të lirshëm të vijmë ndonjë frymë nuk ka asnjë aksident. Nën tokë është gjithkund në botë”, tha Blerim Berisha, qytetar i Suharekës.

Edhe qytetarë të tjerë e kanë mirëpritur këtë investim, duke thënë se përveç sigurisë, tani sheshi ka marrë pamje më të mirë.

Exit mobile version