UBT News

KDI: Kuvendi të ratifikojë katër marrëveshjet ndërkombëtare, të mos mbetet peng i inateve partiake

Sot kur pritet vazhdimi i seancës plenare, të filluar të premten e kaluar, Instituti Demokratik i Kosovës kërkoi nga të gjithë deputetët që të votojnë katër marrëveshjet ndërkombëtare të cilat nuk arritën të miratohen në seancat e kaluara në mungesë të kuorumit, ani pse në sallë të pranishëm ishin 93 deputetë.

KDI thekson se meqë ratifikimi i marrëveshje ndërkombëtare kërkon 2/3 e votave të deputetëve, kjo nënkupton se nevojitet pajtueshmëri më e gjerë në mes të grupeve parlamentare për t’i miratuar ato.

“Duke pasur parasysh që shumica parlamentare nuk i ka votat që t’i kalojë këto marrëveshje, i takon shumicës parlamentare që të bëj përpjekje për gjetjen e një gjuhe të përbashkët me opozitën, në funksion të arritjes së pajtueshmërisë për miratimin e tyre”, thuhet në reagimin e KDI-së.

KDI konsideron se një qasje bashkëpunuese mes shumicës parlamentare dhe opozitës e promovuar dhe e kultivuar nga shumica, duhet të mbizotërojë në angazhimin e përbashkët për çështje që shkojnë përtej interesave partiake dhe kontribuojnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Ndryshe, të hënën ka dështuar votimi i Projektligjit për Ratifikimin e Amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Ani pse ishin të pranishëm 93 deputetë, vetëm 71 ishin pro dhe asnjë kundër këtij Projektligji.

Në këtë seancë u propozua që mos të shqyrtohen pa prezencë të ministrave përkatës dhe derisa të krijohen kushtet për votim edhe Projektligjit për Amendamentimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Dukës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II), Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë (HERAS+)” si dhe Projektligji për ratifikimin e Amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Exit mobile version