Katy Perry ka mbyllur gojët e skeptikëve duke publikuar shifrat e para të fitimeve nga turneu botëror The Lifetimes Tour.
Sipas Billboard, këngëtarja ka shitur mbi 1.1 milion bileta, duke gjeneruar më shumë se 80 milionë dollarë (rreth 73.6 milionë euro) vetëm nga shfaqjet në SHBA, Kanada dhe Australi — ndërsa pjesa më e madhe e turneut ende nuk ka nisur.
Superylli i popit e nisi etapën në Amerikën e Veriut më 7 maj në Hjuston, duke vizituar mbi 20 qytete, përpara se të vazhdonte në Kanada dhe Australi, ku 13 koncertet e saj u shitën plotësisht, shkruan DailyMail.
Turneu, i konceptuar si një spektakël teatror rreth figurës së Perry-t si “shpëtimtare e botës” mes një kaleidoskopi fluturash, pritet të përfshijë 91 shfaqje në pesë kontinente. Kërkesa për biletat ka qenë e madhe, sidomos në Azi.
Në Kinë, ku janë planifikuar gjashtë shfaqje, biletat u shitën për vetëm një minutë. Për të përballuar interesin, Perry ka shtuar data shtesë në Paris, Australi dhe Kinë. Turneu do të ndalet në Evropë, me shfaqje në qytete si Londra, Mançesteri, Parisi, Berlini, Roma dhe Barcelona.
Ky sukses i madh vjen vetëm disa muaj pasi mediat britanike raportuan se Perry po përballej me shitje të dobëta në disa qytete.
Të dhënat e reja, tregojnë të kundërtën, duke e pozicionuar The Lifetimes Tour si një nga turnetë më fitimprurëse dhe më të shtrira të karrierës së saj.