UBT News

Kardiologu Edis Demiri rrëfen një prej rasteve më sfiduese në karrierën e tij: Pacienti ishte në gjendje të rëndë, por gjithçka shkoi mirë

Gjatë episodit të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, kardiologu invaziv, Edis Demiri ndau një prej rasteve më sfiduese në karrierën e tij, ku falë reagimit të shpejtë dhe profesionalizmit të ekipit mjekësor u shpëtua një jetë në rrezik të madh.

“Isha jashtë objektit të spitalit për një obligim zyrtar, kur më thirri një mjek nga urgjenca. Më tha se ka një pacient me infarkt akut në zemër dhe ka nevojë për trajtim të menjëhershëm”, rrëfen Demiri.

🚑 Si u shpëtua jeta e një udhëtari falë reagimit të shpejtë - tregon kardiologu Edis Demiri

Ai tha se pacienti ishte një burrë 52-vjeçar, kurbetçar nga Holanda, i cili ishte në udhëtim me familjen e tij nëpër Ballkan.

Demiri tha se gjatë rrugës, në Kosovë, ai pësoi infarkt në zemër, duke hyrë në shok kardiogjenik.

“Gjendja ishte tejet serioze, familja e tij e tronditur dhe krejtësisht e papërgatitur. Ai ishte shoferi i kombit me të cilin udhëtonin, kështu që përgjegjësia mbi të ishte edhe më e madhe”, tregoi Demiri.

Falë intervenimit të shpejtë, siç tha Demiri pacienti u dërgua menjëherë në sallë ku iu hap arteria e mbyllur.

“Brenda dy-tre ditësh, pacienti u përmirësua dhe u lirua për në shtëpi. Ky rast ishte sfidues jo vetëm nga aspekti mjekësor, por edhe nga ai shoqëror. Është ndryshe kur dikush sëmuret në vendin ku jeton, dhe krejt tjetër kur ndodh kjo gjatë një udhëtimi, me gjithë familjen me vete”, përfundon Demiri.

Për më shumë ndiqni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/

Exit mobile version