Reperi Ye, i cili më herët njihej si Kanye West, rrezikon pajisjen me vizë australiane për shkak të komenteve të tij antisemitike, tha një ministër australian të mërkurën, ndërsa po rritet presioni për t’ia ndaluar hyrjen reperit të njohur amerikan.
Ministri i Arsimit, Jason Clare dënoi komentet “e tmerrshme” antisemitike të Ye, ku mes tjerash përmendi Hitlerin dhe Holokaustin, duke thënë se të tjerëve që kishin bërë komente të ngjashme u ishte refuzuar viza.
“Njerëz të tillë që kanë aplikuar për viza për të hyrë në Australi në të kaluarën janë refuzuar”, tha Clare në një intervistë për CNN.
“Unë pres që nëse ai aplikon, ai do të duhet të kalojë nëpër të njëjtin proces dhe t’u përgjigjet të njëjtave pyetje që bënë ata”, deklaroi ai tutje.
Mediat australiane raportuan se Ye do të udhëtonte drejt Australisë për të takuar familjen e partneres së tij, Bianca Censori, e cila u rrit në Melburn./UBTNews/