Ambicioz, i përkushtuar e besimplotë për të ardhmen e tij në krijimtarinë muzikore. Janë këto atribute që hetohen hapur te rep këngëtari e kantautori i ri, Art Salihu.
Rep artisti deri tash ka krijuar disa këngë, dhe jo vetëm për vete, por edhe për artistë të tjerë shqiptarë, duke guxuar t’i futet furishëm rrugës artistike. Punën profesionale, Salihu që studion në Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT, do ta vazhdojë në studion që ka ngritur në Prishtinë. Këngëtari që preferon zhanrin rep të muzikës, në plan për të ardhmen e afërt ka edhe projekte të reja, duke paralajmëruar edhe bashkëpunime.
“Bashkëpunimi do të jetë me një reper shqiptar. Tash për tash, emrin e tij nuk do ta bëj të ditur”, thotë ai.
Tekstet që shkruan, Salihu thotë se nuk ndikohen fare nga preferencat që dikton tregu, por janë kryesisht cytje personale.
“Sepse mendoj se ne kemi detyrë edhe kultivimin e shijes së opinionit”, thotë ai.
Ndonëse i shfaqur për herë të parë në një konferencë para gazetarëve kurioz për të mësuar gjithçka rreth tij, Salihu lehtësisht u përgjigjet të gjitha pyetjeve, dukje mbajtur një qëndrim modest, e kundërta me planet që ka.
“Po, synoj tregun ndërkombëtar të muzikës”, thotë Salihu, me besim të plotë e krejtësisht pa ndrojtje.
I riu nga Prishtina që ka kaluar fëmijërinë në shtetin e Kanadasë, jetën private preferon ta mbaj të mbyllur për publikun. Për të ka rëndësi që audienca të fokusohet në muzikën që bën.
Suksesin e deritashëm të tij, Salihu e konsideron rezultat të punës, për çfarë beson se është rruga e vetme, që bashkë me talentin, sigurojnë vend në podiumin e krijuesve.
Albulena Baftija & Jonida Derguti, studente të vitit të dytë të Komunikimit Masiv në UBT