Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rizgjedhjen e tij në krye të Qeverisë së Kosovës. Në letrën drejtuar Kurtit, Merz shprehu gatishmërinë për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Jam i bindur se me përvojën tuaj do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejmë euroatlantik të Kosovës”, shkruan kancelari gjerman, duke theksuar se Kosova ka një partner të fortë dhe të besueshëm në Gjermani gjatë këtyre proceseve.
Merz gjithashtu përmendi sfidat përpara Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë avancimin e dialogut të normalizimit me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Gëzohem që do të vazhdojmë së bashku të thellojmë marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore ndërmjet vendeve tona”, përfundon kancelari në mesazhin e tij drejtuar Kurtit.
