Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ngritur alarmin për rritjen e tensioneve në Luginën e Preshevës, duke deklaruar se stërvitjet e fundit ushtarake të Serbisë në territorin e Komunës së Bujanocit, pranë kufirit me Republikën e Kosovës, përbëjnë një kërcënim serioz për mjedisin e sigurisë në rajon.
Sipas Kamberit, këto aktivitete që përfshijnë kapacitete ajrore dhe zhvillohen afër zonave të banuara, ndikojnë negativisht në perceptimin e sigurisë te komuniteti shqiptar dhe ulin besimin ndërmjet aktorëve lokalë, duke u interpretuar si faktorë që nxisin destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Ai ka theksuar se përballë provokimeve të vazhdueshme të regjimit të Vuçiqit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës, është bërë i domosdoshëm reagimi i bashkësisë ndërkombëtare për të inkurajuar transparencën dhe për të shmangur veprimet provokuese që shkelin normat ndërkombëtare.
“Duke marrë parasysh rëndësinë e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, mbetet thelbësore që të veprohet me përmbajtje dhe në përputhje me parimet e sigurisë bashkëpunuese. Në këtë drejtim, roli i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për të inkurajuar dialogun konstruktiv, transparencën dhe shmangien e veprimeve që mund të perceptohen si provokuese”, shkruan Kamberi
Në këtë kuadër, Kamberi ka bërë thirrje urgjente për shtimin e forcave të KFOR-it si një masë të rëndësisë primare për ruajtjen e paqes, duke i kërkuar NATO-s që të rishikojë vendimin për Zonën Toksore të Sigurisë me qëllim parandalimin e krizave të mundshme dhe garantimin e një mjedisi të qëndrueshëm e të parashikueshëm në këtë pjesë delikate të rajonit.
Lidhur me këtë situatë, sot ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, i cili gjatë mbledhjes së Qeverisë i dënoi fluturimet e helikopterëve dhe lëvizjet e parashutistëve mbi zonat e banuara me shqiptarë si një shfaqje të rrezikshme agresioni.
Kreu i ekzekutivit bëri një lidhje të drejtpërdrejtë mes këtyre njësive ushtarake dhe sulmit terrorist në Banjskë, duke theksuar se Beogradi po përdor armatimin rus e kinez për të shantazhuar stabilitetin e Ballkanit Perëndimor në interes të aleatëve si Rusia dhe Irani. Pavarësisht kësaj trysnie, Kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve në Luginë që të mos bien pre e provokimeve, duke vlerësuar se këto veprime vijnë nga dëshpërimi i Serbisë pas dështimit të strukturave të saj ilegale brenda territorit të Kosovës.
