Media “JudoCrazy”, e cila është e specializuar në analizën e sportit të xhudos, kësaj radhe i ka kushtuar një artikull tre trajnerëve më të mirë, ku e ka përfshirë edhe trajnerin kosovar Driton Kuka.
Në këtë artikull “JudoCrazy” flet për punën e trajnerëve si ai japonez, Keiji Suzuki, ai izraelit Shany Hershko, dhe për punën e Driton Kukës, ku ky i fundit tregoi se tregoi se është nder që të lavdërohet nga trajnerët nivelit më të lartë botërorë, përcjell KosovaPress.
Më poshtë mund ta gjeni shkrimin e “JudoCrazy” për Driton Kukën.
“Driton Kuka, trajneri i ekipit të xhudos së Kosovës, është njëri nga trajnerët më të suksesshëm sot. Duke marrë parasysh se Kosova është një shtet shumë i vogël, me burime të pakta, është e mahnitshme puna që e ka bërë ai, nga e cila ka prodhuar tre kampionë Olimpik brenda dy Olimpiadave. Majlinda Kelmendi ishte e para. Ajo e fitoi medaljen e artë në ‘Rio 2016’. Më pastaj në ‘Tokio 2020’, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan medaljet e tyre të arta. Sot, Kelmendi është e pensionuar, por Krasniqi ende po vazhdon e fortë duke luftuar në kategorinë e saj të preferuar deri në 52 kilogramë, ku së fundmi ka fituar medaljen e bronztë në Evropianin ‘Sofia 2022’”, shkruante në artikullin e “JudoCrazy”.