UBT News

“Jo në emrin tim” para Ministrisë së Drejtësisë “Voto Ligjin”, kërkohet miratimi i ligjit për mbrojtjen e UÇK-së

Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë zhvilluar sot një aksion simbolik para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

Aktivisti Rron Kafegjolli deklaroi se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji, duke e cilësuar vonesën si të papranueshme.

Sipas Kafegjollit, bazuar në deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave.

“Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyra. Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.

Kafegjolli kritikoi ministren Donika Gërvalla dhe ministrin Hekuran Murati, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

“Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt”, tha Kafegjolli.

Duke iu referuar afatit për zgjedhjen e presidentit, i cili skadon më 6 tetor, ai i bëri thirrje Qeverisë që të mos e zvarrisë më tej procesin e miratimit të ligjit.

“Qeveria duhet ta dijë se rinia po ju vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë”, deklaroi ai.

Kafegjolli e përmbylli fjalimin duke i bërë thirrje Qeverisë që ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe të veprojë lidhur me kërkesën për miratimin e ligjit.

D.L

Exit mobile version