Me nisjen e pandemisë, industria e modës hasi sfida të mëdha dhe shumë prej eventeve të planifikuara, u anuluan. Por edhe pse situata vijon të jetë problematike, duke krijuar pasiguri dhe pikëpyetje, muaji shkurt duket se premton një agjendë të mbushur plot me projekte të reja.
Sfilatat e organizuara me shumë kujdes, premtojnë të mahnitin kryeqytetin e modës, Milanon, në kuadër të “Javës së Modës”, kushtuar koleksioneve vjeshtë/dimër 2022-2023. Eventet do të nisin ditën e nesërme dhe do të mbarojnë më 28 shkurt, ndërsa turi do të zhvillohet në të gjithë qytetin.
Çfarë nuk duhet humbur?
Organizimi – 169 evente janë planifikuar në Milano: 67 sfilata (nga të cilat 57 fizike dhe vetëm 8 digjitale), 69 prezantime (59 fizike dhe 10 digjitale), 8 prezantime me takim dhe 9 evente. Pritshmëritë e kësaj “Jave të Modës” kushtuar modës së grave, janë të gjitha të përqendruara tek emrat e mëdhenj, duke përfshirë edhe Giorgio Armani.
Rikthimi i emrave të mëdhenj dhe hapësira për artistët e rinj – Ky edicion i “Javës së Modës” në Milano shënon rikthimin e Gucci, Bottega Veneta, Diesel, Trussardi dhe Plein Sport. Por jo vetëm kaq, pasi Dhoma Kombëtare e Modës Italiane, i jep edhe më shumë hapësirë promovimit të talenteve, duke shtuar mundësitë për zhvillim të brezit të ri të stilistëve italianë dhe ndërkombëtarë.
Si të ndiqni shfaqjet? – Edhe për këtë edicion, Java e Modës në Milano mund të ndiqet në platformën CNMI (milanofashionweek.cameramoda.it).