UBT News

“Jam Mysliman”, romani i ri i Ben Blushit ngjall interes në edicionin e 28 të Panairit

Libri më i ri i shkrimtarit Ben Blushi, “Jam Mysliman”, ka tërhequr vëmendjen e madhe në edicionin e 28 të Panairit të Librit.

Romani ofron një rrëfim ironik dhe filozofik mbi përplasjen midis fesë dhe shtetit laik në Shqipërinë moderne.

Ngjarjet zhvillohen në Rrugën e Kavajës, ku protagonisti, një shkrimtar, përballet me islamizimin gradual të shoqërisë dhe jetës së tij private, përfshirë edhe gruan e tij të dytë, e cila përkushtohet ndaj fesë.

Pas një udhëtimi në Mekë dhe ndjerë i vetmuar dhe i kërcënuar, ai përfundon duke u bërë mysliman, duke kthyer kështu romanin në një metaforë të kërkimit të shpëtimit përmes fesë, kur besimi te shoqëria humbet.

Ben Blushi zbulon se libri është shkruar brenda dy muaj e gjysmë e ka 221 faqe në versionin final.

“Ka qenë 20% më i gjatë në fillim, rreth 300 faqe. Kam përfshirë edhe një pjesë të fisit tim që janë myslimanë,” shpjegon ai.

Shkrimtari thekson se “Jam Mysliman” duhet lexuar si letërsi artistike, pa ngarkesë emocionale apo politizim:

“Unë i bëj thirrje të gjithëve që librin ta marrin si produkt imagjinar artistik, nuk është trakt, peticion politik a doktrinë, është një roman.”

Përndryshe, ky është botimi i dymbëdhjetë i Ben Blushit, pas suksesit me bestseller-at “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës”, “Kandidati” dhe “Komploti”. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version