E përditësuar:
11:04 – Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon dëshmia e James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit. Dëshmia e tij është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Dëshmia e tij po vazhdon me pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në ditën e dytë të dëshmisë, James Rubin po shoqërohet nga një përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dëshmitari i mbrojtjes, James Rubin tha se “derisa e kuptuan situatën më mirë”, Shtetet e Bashkaura të Amerikës e përshklruanin UÇK-në si “organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste”.
“Ndoshta ne shkelëm dëshirën që të ishim në anën e engjëjve gjithmonë, sepse për një periudhë të caktuar kohore derisa e kuptuam më mirë situatën, ne fillimisht e përshkruam UÇK-në si organizatë që zhvillonte aktivitete terroriste dhe ne sigurisht me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, ne nuk donim që të vidheshim apo të mbështesnim që zhvillojnë apo bëjnë aktivitete terroriste. Ky qëndrim pastaj ndryshoj me kalimin e kohës, veçanërisht pasi UÇK u pajtua me marrëveshjen e Rambujesë, dhe pastaj e konsideruam atë që ishin në anën e engjëjve sepse nënshkruan marrëveshjen e paqes”, u shpreh ai.
Dëshmia e tij po vazhdon me pyetjet e prokurorit të specializuar, James Pace.
Në dëshminë e tij, James Rubin të hënën kujtoi takimet me ish-presidentin e Kosovës, derisa hodhi poshtë pretendimet se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e drejtues të tjerë të UÇK-së kanë ekzekutuar apo vrarë njerëz.
Paraprakisht, në pyetjet e avokates së Jakup Krasniqit, Venketasëari Alagenda, Rubin tha se serbët janë përpjekur të fajësojnë gjithmonë UÇK-në.
James Rubin është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.D.B/KP
10:45
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, po vazhdon dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, si dëshmitar i ftuar nga ekipi i mbrojtjes së Hashim Thaçit, ish-udhëheqës politik i UÇK-së.
Rubin u pyet nga ekipi i Prokurorisë rreth pretendimeve se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përfshirë në veprimtari kriminale dhe vrasje.
Në përgjigjen e tij, ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kishin shqyrtuar këto akuza, por nuk kishin arritur t’i vërtetonin
“Ka patur pretendime dhe akuza për një vit, ne shikuam ato nuk arritëm t’i vërtetonim. Mendoj që po ata ishin një forcë qe duhej të merreshin parasysh dhe në konsideratë në terren dhe ne donim të krijonim një Kosovë më afatgjate, të kishim shkëmbime dhe të punonim me z. Thaçi”, deklaroi Rubin.
Në vijim, prokurori i çështjes e pyeti nëse është e saktë që në vitet 1998 dhe 1999 mediat ndërkombëtare dhe organizatat tjera kishin publikuar raporte me pretendime të besueshme për krimet e kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.
Rubin iu përgjigj shkurt: “Po.”
Më tej, prokurori iu referua një dokumentari të transmetuar nga BBC, duke e pyetur Rubin nëse aty ai kishte pranuar që anëtarë të UÇK-së kishin vrarë civilë serbë me gjakftohtësi.
Në përgjigje, Rubin deklaroi:
“Më kujtohet se i dënuam veprimtaritë e UÇK-së në fazën fillestare, pasi po vriteshin civilë dhe jo ushtarë, prandaj dhe ne i dënuam këto veprimtari terroriste të UÇK-së, por me kalimin e viteve njohëm më mirë organizatën”, u shpreh Rubin./S/K/EO/
10:20
Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale, James Rubin iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë në lidhje me një dokument ku thuhej se Adem Demaçi përshkruante Hashim Thaçin si zëdhënës të UÇK-së.
Rubin tha se nuk kishte informacione për këto dallime të vogla brenda UÇK-së.
I pyetur nëse kishte takuar Jakup Krasniqin në kohën e luftës, Rubin tha se nuk mendoj që po, teksa shtoi se nuk i kujtohet nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit shqiptar në Rambuje.
“Nuk më kujtohen të gjithë emrat, sepse kjo ka ndodhur para 25 vjetësh”, tha Rubin.
09:15
James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, vazhdon sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë. Dje mbrojtja nisi paraqitjen e provave në gjykimin Thaçi dhe të tjerët duke thirrur dëshmitarin e parë, në këtë rast James Rubin.
Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000.
Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dje ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.
“Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur të fajësojë UÇK-në dhe kjo është në përputhje me mënyrën e veprimit të regjimit serb, mënyrë se si ka vepruar në atë kohë, kjo është mënyra se si ata janë përpjekur të justifikonin fajin tek të tjerët”, tha ai.
“Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë”, ka deklaruar në dëshminë e tij James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.
Rubin, dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit, dëshmoi për disa orë në Hagë mbi njohjen, takimet dhe komunikimet me Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së.
Sipas Rubinit, Thaçi nuk kishte as dijen, as aftësinë dhe as pushtetin për të marrë vendime, duke hedhur dyshime mbi pretendimet e prokurorisë për një strukturë të centralizuar të UÇK-së. Ai e përshkroi Thaçin si figurë politike dhe jo ushtarake.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka mohuar se arsyeja pse Hashim Thaçi nuk e nënshkroi marrëveshjen e parë të Rambujesë lidhej me hezitimin për çarmatosjen e UÇK-së.
Rubin theksoi se pala shqiptare kërkonte garanci nga NATO për përdorimin e forcës në rast se Serbia do të vazhdonte represionin. Ai tha se Thaçi kërkonte edhe aprovimin e Adem Demaçit, i cili sipas tij kishte kundërshtuar nënshkrimin.
Në dëshminë e tij, Rubin akuzoi diplomatin amerikan Christopher Hill përanshmëri kundër UÇK-së dhe tentativë për ta dëmtuar figurën e tij dhe të sekretares Madeleine Albright.
Po ashtu, dëshmitari theksoi se nuk ka gjetur asnjë provë që Thaçi apo Jakup Krasniqi të jenë përfshirë në vrasje apo ekzekutime dhe se akuzat e tilla shpesh ishin të fabrikuara për të cenuar marrëdhënien mes Kosovës dhe ShBA-së.
Dëshmia e tij është cilësuar nga analistët në Kosovë si një sfidë ndaj akuzave të prokurorisë, duke e paraqitur UÇK-në si një strukturë të decentralizuar dhe jo si organizatë të aftë për të planifikuar krime sistematike./S.K/EO/