Tensionet mes Iranit dhe vendeve evropiane kanë hyrë në një fazë alarmante, pasi Teherani ka paralajmëruar se çdo përfshirje e Evropës në konflikt do të konsiderohet “akt lufte” dhe mund të pasohet me sulme hakmarrëse ndaj qyteteve evropiane.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, deklaroi se çdo veprim i ashtuquajtur “mbrojtës” kundër kapaciteteve raketore të Iranit do të përbënte bashkëpunim të drejtpërdrejtë me armiqtë e vendit. “A duan ta privojnë Iranin nga aftësia dhe kapaciteti për t’u kundërpërgjigjur ndaj agresorëve?” – pyeti ai gjatë një konference për shtyp me agjencitë shtetërore të lajmeve.
Baghaei shtoi se do të ishte “turp” nëse vendet evropiane mbajnë anën e agresorëve, duke theksuar se sipas tij ato tashmë kanë bërë mjaft kundër Iranit.
Paralajmërimi vjen në një kohë kur Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar po përpiqen të forcojnë mbrojtjen, nga frika se përshkallëzimi i konfliktit mund të shtrihet përtej Lindjes së Mesme dhe të paraqesë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e kontinentit.
Situata u tensionua edhe më shumë pasi dronë sulmues të prodhuar nga Irani shënjestruan të hënën bazën ajrore britanike RAF Akrotiri në Qipro, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, duke rritur shqetësimet për një zgjerim të konfliktit drejt territorit evropian. /Euronews/
