Interi dhe Milani kanë zbuluar projektin e përbashkët për stadiumin e ri, i cili do të ndërtohet në zonën e San Siros. Gjatë prezantimit, arkitekti i njohur David Manica ka deklaruar se arena e re, e cila do të mbajë emrin “Generali Stadium”, është konceptuar për të ruajtur shpirtin dhe atmosferën e stadiumit legjendar, duke siguruar një përvojë edhe më afër fushës për tifozët.
Impianti i ri do të ketë një kapacitet prej rreth 71,500 ulësesh, ndërsa tribunat tradicionale të tifozëve më të zjarrtë, të njohura si “Curva”, do të kenë nga 11,700 vende secila. Projekti, në të cilin janë angazhuar edhe studio të njohura si ajo e Norman Foster dhe David Manica, parashikon ndërtimin e stadiumit në hapësirën që aktualisht shërben si parking, pas marrëveshjes së blerjes së tokës nga dy klubet në nëntor të vitit 2025.
Përveç tribunave afër fushës dhe hapësirave premium, stadiumi i ri do të dallohet edhe për nga aspekti i qëndrueshmërisë mjedisore, ku kulmi i tij do të mbulohet me 27,500 metra katrorë panele diellore. Kjo nismë vjen pak ditë para derbit të madh të qytetit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës së dy klubeve italiane. /Tutosport/
