Në kuadër të Global UBT Fest 2026, Fakulteti Juridik në UBT ka nisur aktivitetet e Akademisë Verore, duke bërë bashkë studentë nga programe dhe vite të ndryshme studimi të UBT-së, pjesëmarrës nga institucione të tjera të arsimit të lartë, profesorë, përfaqësues të industrisë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.
Akademia Verore sivjet zhvillohet me fokus në integrimin e Inteligjencës Artificiale (IA) në hulumtimin ligjor, duke trajtuar përfitimet, kufizimet dhe ndikimet etike që sjell përdorimi i teknologjive të avancuara në sistemin juridik dhe në shoqëri.
Gjatë ceremonisë së hapjes u theksua rëndësia e adresimit të sfidave dhe mundësive që Inteligjenca Artificiale paraqet për profesionin juridik, duke theksuar nevojën për përgatitjen e juristëve të rinj me njohuri ndërdisiplinore, të aftë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të shpejta teknologjike dhe transformimit digjital të sistemit të drejtësisë.
Përgjatë kësaj jave, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin ligjërata dhe diskutime mbi temat më aktuale që lidhen me Inteligjencën Artificiale, përfshirë rregullimin ligjor të IA-së, ndikimin e saj në proceset e vendimmarrjes, përdorimin në vendin e punës, në sistemin arsimor, në media dhe në rrjetet sociale, si dhe sfidat etike dhe ligjore që shoqërojnë zhvillimin dhe zbatimin e këtyre teknologjive.
Përmes ligjëratave interaktive, diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet akademisë dhe profesionistëve të fushës, Akademia Verore e Fakultetit Juridik synon të krijojë një platformë bashkëkohore për analizimin e ndikimit të Inteligjencës Artificiale në të drejtën, institucionet dhe shoqërinë, duke fuqizuar njohuritë dhe kompetencat e gjeneratës së ardhshme të juristëve.

