Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka folur për çështje të ndryshme në konferencën për media para nisjes së Kupës së Botës 2026, duke komentuar edhe problemet me vizat dhe rastin e gjyqtarit somalez Artan Omrai, të cilit i është mohuar hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Infantino theksoi se FIFA nuk ka kompetenca për t’u imponuar qeverive vendime lidhur me hyrjen e individëve në territorin e tyre, duke shtuar se organizata që ai drejton përpiqet vazhdimisht të gjejë zgjidhje për raste të tilla.
“Më besoni kur ju them, ose mos më besoni nëse nuk doni, por ne përpiqemi gjithmonë të gjejmë zgjidhje. Duhet të respektojmë faktin se nuk jemi mbretërit e botës që mund të sundojnë mbi qeveritë dhe forcat policore. Ne jemi një organizatë sportive dhe përpiqemi të bëjmë më të mirën me mjetet që kemi”, deklaroi Infantino.
Kreu i FIFA-s shprehu keqardhje për rastin e Artan Omrait, arbitrit nga Somalia, i cili nuk arriti të sigurojë hyrjen në SHBA për Kupën e Botës.
Pavarësisht vështirësive të hasura me vizat, që kanë prekur edhe delegacione të tjera pjesëmarrëse, përfshirë Iranin, i cili u detyrua ta zhvendosë bazën e tij stërvitore në Meksikë, Infantino insistoi se nuk pendohet për vendimin që Shtetet e Bashkuara të jenë një nga nikoqirët e Botërorit 2026.
Ai komentoi gjithashtu kritikat e fundit lidhur me çmimet e biletave për ndeshjet e Kupës së Botës, duke theksuar se çmimi mesatar i një bilete është më pak se 500 dollarë.
Kupa e Botës 2026, e organizuar nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Meksika, nis sonte me ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, duke shënuar fillimin e edicionit më të madh në historinë e këtij kompeticioni.
D.L
