UBT News

Incidentet në protestën para Parlamentit: Arrestohen 19 persona në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar 19 persona dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 12 të tjerë, pas incidenteve të dhunshme të regjistruara gjatë protestës së djeshme para Parlamentit.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, të arrestuarit akuzohen se kanë kundërshtuar dhe goditur me sende të forta efektivët e rendit, kanë dëmtuar një automjet policie, si dhe kanë sulmuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Mes të ndaluarve është edhe shtetasi A. Ll., 35 vjeç, i cili dyshohet se ka goditur një gazetar gjatë tubimit. Si pasojë e këtyre përplasjeve, kanë mbetur të lënduar 15 punonjës të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, policia po punon me pamjet filmike për të identifikuar edhe gjashtë persona të tjerë që kanë kryer veprime të kundërligjshme. Materialet procedurale për një sërë veprash penale, përfshirë shkatërrimin e pronës, goditjen për shkak të detyrës dhe prishjen e rendit publik, i janë referuar tashmë Prokurorisë së Tiranës. /E.A/

Exit mobile version