UBT News

I jepet lamtumira e fundit Artur Zhejit, gazetarit që Kosovën e bëri çështje të parë

Personalitete të jetës publike, politikës, miq, kolegë dhe qytetarë i dhanë sot lamtumirën e fundit gazetarit dhe publicistit të njohur Artur Zheji ndërsa zhvilluan homazhe në nderim të tij në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë.

Në këtë universitet, Zheji ka përfunduar studimet për regjisurë, por gjithashtu ka kaluar edhe një pjesë të mirë të jetës së tij.

Zheji ka qenë drejtues i Radio Televizionit Shqiptar, i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, por edhe në media të tjera të shkruara dhe vizive.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh se pas ekranit, Zheji ka qenë akoma më artist e krijues dhe do të ishte shumë më tepër në vitet që do vinin.

“Humbje e rëndë, e parakohshme. Një personazh me shumë ngjyra, me shumë botë, me shumë përfshirje në jetën publike dhe në jetën e vendit. Nuk e kam arritur në akademi, por natyrisht që e njoh Zhejin si të gjithë ju, si gazetar e publicist. Pas Zhejit në ekrane, me siguri ka qenë një Zheji tjetër akoma më artist e krijues e do ishte shumë më tepër në vitet që do vinin, por fatkeqësisht jeta është ndonjëherë shumë e ashpër në këto ngjarje që janë kaq të papritura. Nuk dimë si të ngushëllojmë familjen e botën që ai la. Ikje shumë e parakohshme”, u shpreh Gonxhja pas homazheve në Akademinë e Arteve.

Aktorët e mirënjohur Rajmonda Bulku dhe Timo Flloko vlerësuan Zhejin si një analist të jashtëzakonshëm, por edhe një artis i madh në shpirt.

“Lindi i lirë, i mençur i kulturuar. Luftoi tërë jetën e tij për të thënë fjalën e drejtë. Elokuenca e Turit është e pakrahasueshme. Do na mungojë shumë, jo vetëm ne që e kishim afër dhe e donim shumë dhe e vlerësonim, por të gjithë atyre që donin ta dëgjonin zërin e Turit, një zë të lirë, një fjalë të drejtë, të mençur dhe besoj se do ta mbajnë në mendje ashtu siç ishte Turi, i drejtë dhe i mençur”, tha për gazetarët aktorja Bulku pas homazheve.

Aktori Timo Flloku u shpreh se “Tur Zheji ishte një personalitet i dimensioneve të jashtëzakonshme, nuk flas në prerjen politike apo si një analist i jashtëzakonshëm, por do të thoja atë që Arturi ishte në artis i madh në shpirt, me një sensibilitet të thellë. Kam patur miqësi të afërt me të. Zoti e rrëmbeu nga ne, iku shumë shpejt”.

Historiani dhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo vlerësoi kontributin e Zhejit jo vetëm në media, por edhe në çështje të rëndësishme si ajo e Kosovës.

“Me Artur Zhejin kam rreth 28 vjet që jam njohur. Më ka marrë intervistën e parë si gazetarë në Romë, kur unë isha në pozitën e Ministrit të Jashtëm dhe që aty vendosëm një bashkëpunim shumë miqësorë që vazhdoi edhe më tej. Arriti në majën e publicistikës shqiptare, me një stil të veçantë, një fjalor tejet të përpunuar që ndërthurej mes një gazetarie ekspresive, por dhe mendimi të thellë filozofik. Ajo kulturë e madhe që ky njeri rrezatonte, jo vetëm kur ishte në mediumet publike, por edhe jetën personale, kishe çfarë të bisedoje me të. Artur Zheji është një nga gazetarët më të shquar që është marrë me çështjen kombëtare në tërësi, por veçanërisht Kosovën. Arturi e bëri çështje të parë të profesionit të tij dhe madje temat e tij, diskutimet dhe programet e tij kanë patur në qendër çështjen kombëtare. Për këtë spikaste në mënyrë të veçantë”, tha Milo.

Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë.

 

Exit mobile version