Kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, u është dorëzuar autoriteteve shqiptare në pikën kufitare Vërmicë-Morinë, pasi gjatë ditës ka qëndruar në territorin e Kosovës.
Paraqitja e saj në pikën kufitare erdhi menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila me kërkesë të SPAK-ut ka caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin e menjëhershëm nga detyra. Hyseni po hetohet nga Struktura e Posaçme për veprat penale “përkrahje e autorit të krimit” dhe “nxjerrje e sekretit hetimor”.
Ekzekutimi i masës së sigurisë nuk arriti të kryhej gjatë orëve të mëngjesit, pasi zyrtarja e lartë ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, ku po merrte pjesë në një konferencë ndërkombëtare të drejtuesve të shërbimeve informative.
Në vijim të këtyre zhvillimeve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar zyrtarisht shkarkimin e saj nga detyra e drejtueses së SHISH-it.
