Gjatë një interviste në emisionin Dueli Sportiv në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, njoftoi se Benfica, një nga klubet më të njohura të futbollit në botë, do të hapë shkollën e saj të futbollit në Prishtinë.
Rektori Hajrizi theksoi se ky bashkëpunim u arrit pas një viti pune intensive dhe vlerësimi të potencialit që Kosova dhe UBT ofrojnë në aspektin e infrastrukturës, teknologjisë dhe profesionalizmit.
“Ata e kanë parë potencialin tonë dhe mundësitë moderne që ofrojmë. Kemi filozofi të përbashkët, të njëjtat standarde dhe një vizion të qartë për zhvillimin e sportit modern”, deklaroi ai.
Në intervistë, Prof. Hajrizi zbuloi se Benfica ka zgjedhur UBT-në si partner zyrtar, duke u bazuar në standardet e larta të trajnimit, laboratorëve sportivë dhe stafit profesional që posedon institucioni.
Ai shtoi se shkolla e Benficës në Kosovë do të funksionojë me të njëjtat metoda, trajnerë të licencuar dhe filozofi trajnimi si në Portugali, duke ofruar kështu mundësi reale për zhvillimin e talenteve të rinj dhe pozicionimin e Kosovës si një qendër rajonale të futbollit modern.
“Synimi ynë është që Kosova të bëhet pikë referimi për rajonin, me të njëjtat standarde profesionale që i kërkon një klub si Benfica. Kjo është një arritje që e kemi ndërtuar me përkushtim dhe që do të sjellë ndikim afatgjatë në sport dhe edukim”, tha Rektori Hajrizi.
Ky projekt pritet të shënojë një kapitull të ri për futbollin kosovar, duke sjellë për herë të parë filozofinë dhe ekspertizën e një klubi elitë botëror në Prishtinë, në bashkëpunim me një institucion akademik që ndërthur teknologjinë, edukimin dhe sportin.
