Ambasadori i SHBA-së, Christopher Hill, tha se vendi i tij vlerëson shumë përpjekjet e BE-së për zgjidhjen e problemeve me targat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe vlerësoi përpjekjet e shefit të diplomacisë, Josep Borrell, në takim në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
“Shtetet e Bashkuara janë shumë mirënjohëse për atë që BE-ja po bën, si i qaset kësaj çështjeje, mendoj se Borrell duke folur për më shumë se tetë orë për të gjitha detajet (për targat) është e rëndësishme, kështu që ne vazhdojmë mbështetjen tonë për BE në përpjekjet e saj për të zgjidhur problemin”, tha Hill pas takimit me presidentin Vuçiq.
Ai theksoi se e inkurajoi Vuçiqin që të vazhdojë të jetë konstruktiv dhe të angazhohet në procesin e negociatave me shpresën e gjetjes së një zgjidhjeje, sepse është e nevojshme që të dyja palët të përfshihen në zgjidhjen e çështjes, sepse, siç theksoi, “angazhimi konstruktiv është qasja e duhur”.
“Jam i bindur se do të gjendet një zgjidhje, sepse njerëz me përvojë si Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, janë duke punuar për këtë çështje”, tha Hill.
BE-ja është duke bërë një punë të shkëlqyeshme sa i përket dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe nuk duhet lejuar që problemet si çështja e targave të pengojnë zgjidhjen e çështjeve më të rëndësishme, theksoi ambasadori.
Në takimin e djeshëm në Bruksel nuk ka pasur marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës për targat.