Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka mirëpritur vendimin e Komitetit Evropian të Rajoneve për të hequr fusnotën nga emërtimi i Republikës së Kosovës në të gjitha dokumentet dhe komunikimet e tij zyrtare.
Sipas njoftimit të MPJD-së, ky hap i rëndësishëm institucional e harmonizon praktikën e këtij mekanizmi me atë të Parlamentit Evropian, duke shënuar një progres të ri në procesin e integrimit evropian të vendit.
“Ky vendim e harmonizon praktikën e këtij institucioni me emërtimin zyrtar që përdoret nga Parlamenti Evropian, dhe përbën një zhvillim të rëndësishëm institucional në integrimin evropian të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë zhvillim, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka shprehur mirënjohje të veçantë për raportuesen Gillian Coughlan.
Ai vlerësoi lart angazhimin e saj të vazhdueshëm në kuadër të Grupit Punues për Kosovën, duke e cilësuar këtë vendim si një njohje të rëndësishme për subjektivitetin institucional të Kosovës në arenën evropiane.
