UBT News

Harmoni dhe hije, suksesi i pianistes nga Kosova Adea Badivukut

Adea Badivuku është njëra nga artistet shqiptare që po shkëlqen në botën e muzikës klasike, duke marrë pjesë në konkurse, festivale dhe koncerte të ndryshme. Pasionin e saj për muzikën klasike ajo thotë se e ka ushqyer që nga fëmijëria.

Suksesi më i lartë i saj ka qenë prezantimi në salla të njohura si “Carnegie Hall” në New York, duke e bërë atë pjesë të një karriere të lavdishme që ka shënuar një ndikim të thellë në skenën muzikore ndërkombëtare.

Në një intervistë për UBTNews, pianistja Badivuku foli me ngrohtësi për sfidat që ka përjetuar gjatë periudhës së studimeve në Kosovë.

Ajo u përqëndrua te mungesa e një salle koncertale të përshtatshme, teksa theksoi se kjo pengesë ka ndikuar në aftësinë e pianistëve, për të performuar live, fituar ekspozim dhe lidhur me një audiencë më të gjerë.

Megjithatë shprehet se është e gëzuar për hapat pozitiv që po bëhen në Kosovë në fushën e artit dhe kulturës, siç është rritja e vetëdijes dhe përmirësimi i infrastrukturës kulturore.

Ndërkohë shtoi se artistët e rinj gëzojnë më shumë mbështetje, bursa edukimi dhe mundësi përparaqitjesh skenike.

Sa i përket paraqitjeve të saj, ajo nënvizoj rëndësinë në promovimin e kulturës dhe identitetit kosovar përmes muzikës. Qëllimi i saj thotë se është lidhja e trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës me skenën muzikore bashkëkohore.

Përmes përfshirjes së veprave të kompozitorëve kosovarë në repertorin dhe performancat e saj, Badivuku synon të shpalosë historinë, bukurinë dhe forcat e përkryera të popullit shqiptar.

“Përmes muzikës shqiptare, synoj të tregoj historitë, duke nxjerrë në pah bukurinë, betejat dhe qëndrueshmërinë e popullit tonë. Besoj se është një mënyrë për të ruajtur të kaluarën tonë, për të pasuruar të tashmen dhe për të frymëzuar brezat tanë të ardhshëm”, deklaroi ajo për UBTNews.

Kur shpalosi vizionin dhe përkushtimin për skenën muzikore në Kosovë, pianistja Badivuku mendon se mund të kontribuojë në zhvillimin e saj përmes angazhimit të vazhdueshëm dhe kthimit në vend me projekte inovative.

“Duke sjellë njohuri dhe përvoja të reja nga jashtë, synoj të ndikoj pozitivisht në skenën artistike, duke e pasuruar atë me perspektiva të ndryshme dhe duke ofruar mundësi të reja për muzikantët e rinjë. Tash së fundmi kam realizuar festivalin e artit kontemporan “Hijet” ku kemi ofruar punëtori, ekspozitë pikturash, instalacion audio-vizuale dhe mundësi për të performuar në serinë e koncerteve”, deklaroi ajo tutje.

Kur flet për marrëdhëniet me komunitetin muzikor në Kosovë dhe jashtë saj, Badivuku thotë se marrëdhëniet më këtë komunitet janë thelbësore për zhvillimin si artiste.

“Kam fatin të rrethohem nga profesorë, muzikantë dhe kolegë shumë të mirë. Kjo lidhje ka qenë një burim i vazhdueshëm mbështetjeje dhe inspirimi për mua. Në të gjitha projektet e mia unë vazhdoj të bashkëpunoj ngushtë me komunitetin tonë muzikor, duke ndarë njohuritë, përvojat dhe duke krijuar së bashku vepra të reja që pasurojnë skenën muzikore të vendit tone”, shtoi ajo.

Kur flet për projektet e ardhshme, Badivuku, zbuloi projekte të shumta për të eksploruar dhe promovuar talentin si një pianiste kosovare në skenën ndërkombëtare.

Pas suksesit të festivalit të artit kontemporan “Shadoës” në Reno të Nevadas, ajo ndan me entuziazëm lajmin se ka pranuar një ftesë për të performuar një recital pianistik dhe për të mbajtur ligjeratë dhe masterklase në piano në Las Vegas gjatë kësaj jave.

“Pas këtyre angazhimeve, planifikoj të vazhdoj me disa koncerte pianistike që do të realizoj në muajt prill dhe maj. Për të mos lënë anash aspektin akademik dhe hulumtues, dua të theksoj se do të jem gjithashtu e angazhuar në disa projekte në fushën e hulumtimit shkencor të muzikës dhe trashëgiminë kosovare”, tha ajo.

Përpjekja e pianistes Badivuku synon të japë një kontribut të vlefshëm në rritjen dhe diversifikimin e skenës muzikore./UBTNews/

Realizoi: Dionesa Ebibi

Exit mobile version