UBT News

Hamza: Qëndrimi i PDK-së për Specialen është konsistent

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se qëndrimi i partisë së tij sa i përket ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara mbetet i pandryshuar.

Hamza tha se PDK-ja vazhdon të mbështesë fillimisht miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen në të dy leximet, duke theksuar se kjo çështje nuk është e ndërlidhur me zgjedhjen e presidentit.

Deklarata e tij vjen pasi kryeministri Albin Kurti u zotua se të enjten do të votojë ndryshimet e këtij ligji, nëse PDK-ja siguron gjysmën e votave të nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

Megjithatë, Hamza tha se këto dy çështje kanë rastisur të jenë në të njëjtën kohë, por nuk duhet të trajtohen si të ndërlidhura.

“Qëndrimi i PDK-së ka qenë dhe vazhdon të jetë konsistent. Aprovimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në dy leximet nuk është i lidhur me asnjë çështje politike. Ka koinciduar me çështjen e presidentit”, tha Hamza në konferencë për media.

Ai foli edhe për deklaratën e miratuar në Kuvend, duke theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e popullit të Kosovës nuk është çështje vetëm e PDK-së.

“Unë i falënderoj të gjithë deputetët që kanë votuar pro deklaratës. Por, për ta qartësuar, lufta e popullit të Kosovës dhe e UÇK-së nuk është luftë vetëm e PDK-së. Askund në deklaratë nuk shkruan për PDK-në”, u shpreh ai.

Hamza tha se mbrojtja e luftës çlirimtare duhet të jetë qëndrim edhe i partive të tjera politike.

“Unë konsideroj që nuk duhet vetëm PDK-ja të flasë për mbrojtjen e një lufte të drejtë çlirimtare për liri dhe pavarësi. Duhet të flasin edhe partitë e tjera politike”, përfundoi Hamza.

D.L

Exit mobile version