UBT News

Mbrojtja e Krasniqit: Provat tregojnë pafajësinë e tij, ZPS po ndryshon qëndrime

Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, kërkoi nga trupi gjykues që ta shpallin klientin e tij të pafajshëm, duke theksuar se provat nuk e lidhin Krasniqin me përgjegjësitë e pretenduara.

Ellis kritikoi Prokurorinë e Specializuar (ZPS) për ndryshimin e qëndrimeve lidhur me përgjegjësinë e të akuzuarve bazuar në anëtarësinë e tyre në Shtabin e Përgjithshëm. “Vetë kryeprokurorja kishte thënë se për fajësim nuk kërkohet vetëm anëtarësia në shtab, por të hënën prokurorët e përdorën këtë argument,” tha Ellis.

Ai theksoi se për çdo kontribut në NPK përgjegjësia duhet të identifikohet individualisht, përndryshe rasti i tërë duket sikur është kundër Shtabit të Përgjithshëm dhe jo katër të akuzuarve.

Ellis hodhi poshtë pretendimet e ZPS-së se Krasniqi kishte qenë epror i Bislim Zyrapit, duke theksuar se Zyrapi vetë ka pranuar se ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. “Zyrapi i është referuar vetes si shef i Shabit të Përgjithshëm. Zyrapi ka nënshkruar urdhra në këtë cilësi. Anëtarë të tjerë të UÇK-së, që ishin të informuar me tituj ushtarakë, i kanë drejtuar Zyrapit dokumente me titullin shef i shtabit. Kemi dëgjuar këtu dëshmitarë që i janë referuar Zyrapit si shef i Shtabit,” tha Ellis, duke përmendur Naim Malokun, Sokol Bashton dhe Rrustem Mustafën.

Sipas mbrojtjes, ZPS po tenton të minimizojë rolin e Zyrapit dhe duke pretenduar se dëshmia e tij mbi Krasniqin është “i pabazuar”. Seanca u ndërpre për pauzë, dhe pas pushimit pritet që ish-eprorët e UÇK-së të deklarohen.

Roberts: ZPS-së i vjen turp për argumentet ndaj Selimit

Avokati i  Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Specializuar (ZPS) për mënyrën se si ka paraqitur argumentet kundër klientit të tij.

“ZPS-së vetë i vjen turp për argumentet e veta për Selimin. Nuk mund të dilet në asnjë përfundim tjetër si nga parashtrimet e së hënës, ashtu edhe nga dosja e tyre përfundimtare. Nëse vetë Prokuroria nuk është e bindur për argumentet e veta për Selimin, si mund t’iu bind ju?”, tha Roberts në nisje të fjalës së tij.

Ai theksoi se mbrojtja konsideron se pretendimet e ZPS-së janë të dobëta dhe të paqëndrueshme, duke lënë të kuptohet se klienti i tij nuk ka asnjë rol të vërtetuar në akuzat e ngritura.

Dixon: Nuk ka prova që Veseli ka qenë pjesë e NPK-së, thashethemet nuk vlejnë

Avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Rodney Dixon, deklaroi se nuk ekzistojnë prova që lidhin klientin e tij me Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale. Dixon theksoi se Veseli ka qenë për periudha të gjata jashtë vendit dhe, edhe kur ndodhej në Kosovë, ka marrë pjesë në shumë pak takime dhe ka vizituar rrallë Shtabin e Përgjithshëm.

“Veseli nuk ka komanduar ndonjë strukturë të inteligjencës apo askënd dhe nuk ka qenë aktiv në Drejtorinë Politike. Madje, as anëtarësia në këtë drejtori nuk është vërtetuar. Ai nuk ka pasur role kriminale,” tha Dixon.

Mbrojtësi i Veselit kritikoi gjithashtu përdorimin e një videoje nga ZPS, ku një dëshmitar pretendonte se kishte dëgjuar nga dikush se Veseli ishte përfshirë në krime. “Ky është thashethem i pastër. Ky klip është i pavlerë dhe mbrojtja nuk ka mundur ta marrë në pyetje këtë dëshmitar,” shtoi ai.

Dixon theksoi se gjykata nuk mund të shpallë fajtor një person në bazë të “provave të patestuara dhe thashethemeve”. Ai ripërsëriti se ZPS nuk ka asnjë provë që lidh Veselin me krimet e pretenduara dhe se të gjitha argumentet kundër tij janë të pabazuara.

Si shembull, mbrojtja kundërshtoi edhe dëshminë e një dëshmitari për ndalimet në Kleçkë, duke e konsideruar si “thashethem” dhe jo si provë të vlefshme.

Në fund, Dixon deklaroi se përpjekja e fundit e ZPS-së për ta lidhur Veselin me pikat e aktakuzës, e bërë të hënën, nuk ka ofruar prova të reja që të ndryshojnë këtë situatë.

Mishetiq: Nuk ka asnjë provë që Thaçi ka hartuar apo shpërndarë komunikatat e UÇK-së

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë provë që e lidh klientin e tij me kryerjen e krimeve apo me transmetimin e “qëllimit të përbashkët kriminal” të të akuzuarve.

Sipas Mishetiqit, nuk ka asnjë dëshmi që Thaçi të ketë pasur rol në hartimin apo shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke theksuar se provat janë mbajtur të fshehura deri në dosjen përfundimtare, ndonëse dihej se mbrojtja do t’i kundërshtonte ato.

“Një problem tjetër i madh është mënyra e paraqitjes së provave dhe argumentimit ligjor nga ZPS-ja, duke i fshehur provat deri në dosjen përfundimtare. ZPS-ja i kuptoi boshllëqet e saj vetëm në javën e fundit, kur u paraqitën parashtrimet e mbrojtjes, dhe tani në kundërpërgjigje po ndryshon paraqitjen e saj si përpjekje për t’i mbushur këto boshllëqe”, tha ai.

Mishetiq solli si shembull pretendimet e ZPS-së se çështja e “kundërshtarëve” dhe “luftës speciale” është diskutuar vazhdimisht në mbledhjet e Shtabit të Përgjithshëm. Ai theksoi se mbrojtja ka analizuar procesverbalet e 16 gushtit dhe 29 dhjetorit, ndërsa në dosjen përfundimtare përmenden edhe takime të tjera, si ato të 23 korrikut, 12 dhe 13 nëntorit, si dhe 20 dhe 30 dhjetorit 1998.

Sipas tij, këto takime janë cituar për të mbështetur paragrafin 25 të dosjes përfundimtare, por mbrojtja pretendon se ato nuk janë referuar më herët në mënyrë të qartë. “Nuk mund të pritet nga Thaçi që të trajtojë apo kundërshtojë prova që nuk janë përmendur nga ZPS-ja”, përfundoi Mishetiq.

Mishetiq: S’ka prova që Thaçi ishte i përfshirë në krime lufte

Avokati i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, deklaroi se mbrojtja ka paraqitur argumente thelbësore që, sipas tij, dëshmojnë mungesën e provave për përfshirjen e ish-presidentit në krime lufte. Ai theksoi se nuk ekziston asnjë raport nga kryerësit e pretenduar të krimeve që e lidh Thaçin me veprime të paligjshme, si dhe nuk ka prova të besueshme që ai të ketë pasur rol në hartimin apo shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së apo në transmetimin e të ashtuquajturit “qëllim i përbashkët kriminal”.

Mishetiq shtoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka ofruar shpjegim racional për pretendimet se qëllimi i përbashkët kriminal është transmetuar përmes komunikatave, ndërsa theksoi se dëshmitë e paraqitura nga dëshmitarë ndërkombëtarë dhe pjesëtarë të UÇK-së nuk e implikojnë Thaçin në krime lufte apo në ndonjë politikë të pretenduar kundër kundërshtarëve. “Nuk ka asnjë raport nga kryerësit e krimeve për Hashim Thaçin… nuk ka prova të besueshme që ai kishte rol në përgatitjen dhe shpërndarjen e komunikatave,” u shpreh Mishetiq, duke shtuar se “ZPS-ja të hënën nuk kishte kundërpërgjigje apo argumente për t’i hedhur poshtë këto pika themelore.”

Simon Laws: S’kemi detyrim të provojmë lidhjen e Selimit me krimet

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, ka nisur t’u përgjigjet pretendimeve të palëve, duke kundërshtuar qëndrimin e mbrojtjes së Rexhep Selimi se nuk është dëshmuar lidhja mes krimeve të pretenduara dhe të akuzuarit. Ai theksoi se “trupi gjykues nuk përballet me pyetjen nëse vuajtja ka ndodhur, por nëse ka prova që lidhin në mënyrë të ligjshme këtë vuajtje me krimet për të cilat akuzohet Rexhep Selimi”. Sipas tij, mbrojtja ka ngritur dy pretendime kryesore: “se nuk kemi vërtetuar lidhjen midis dëmit të pësuar nga viktimat dhe krimeve për të cilat janë ngritur akuza” dhe “se nuk kemi vërtetuar lidhjen midis krimeve dhe të akuzuarit Selimi”.

Në përgjigjen e tij, Laws u shpreh se “nuk ka kriter apo kusht ligjor për ne që të vërtetojmë ekzistencën apo lidhjen në mes krimeve dhe Selimit, jo në këtë fazë dhe në fakt në asnjë fazë”. Ai shtoi se pala që përfaqëson “nuk është përpjekur të vërtetojë një krim në lidhje me Selimin”, pasi roli i saj është të paraqesë informacione dhe prova për dëmin e viktimave. “Nuk është puna jonë të vërtetojmë akuzat kundër Selimit, ajo është punë e prokurorisë”, përfundoi ai.

Hagë: Seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Në gjashtë seancat paraprake, fjalët përmbyllëse janë paraqitur nga prokurorët, ekipet mbrojtëse dhe mbrojtësi i viktimave, ndërsa më pas trupi gjykues ka parashtruar pyetje për palët. Siç u bë e ditur në seancën e së hënës, sot radhën për paraqitjen përfundimtare e ka mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Katër të akuzuarit kanë gjithashtu të drejtën që të deklarohen sot para trupit gjykues. Në Hagë janë të pranishëm familjarë të tyre, si dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili përfaqëson Qeverinë e Kosovës.

Para nisjes së seancës, Konjufca deklaroi se gjykata ka shkelur të drejtën e të akuzuarve për gjykim brenda një afati të arsyeshëm, duke theksuar se ata prej më shumë se pesë vitesh mbahen në paraburgim në Hagë. Ai e cilësoi gjykatën si një entitet që, sipas tij, ka pasur fokus të padrejtë ndaj UÇK-së.

“Unë jam këtu për të konfirmuar se lufta jonë ishte e drejtë, e pastër, mbrojtëse, nuk ka qenë luftë kundër asnjë populli tjetër. Targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe”, tha Konjufca. Ai shtoi se shpreson që “verdikti të jetë në përputhje me historinë dhe lavdinë e UÇK-së”.

Ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.

Seanca e sotme zhvillohet një ditë pasi, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katërshes dhe për të kërkuar një proces gjyqësor të drejtë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, kërkesë që ekipet mbrojtëse e kanë cilësuar si të barasvlershme me burgim të përjetshëm.

Zhvillimet nga Gjykata Speciale në Hagë pritet të vijojnë gjatë ditës. /REL/

 

Exit mobile version