Norvegjia ka siguruar një kualifikim historik në çerekfinalet e Kupës së Botës, duke eliminuar Brazilin e madh me rezultatin 2:1 në stadiumin “MetLife” të New Jerseyt. Heroi i mbrëmjes ishte kush tjetër përveç Erling Haaland, i cili përmbysi ndeshjen me dy gola elektrikë në fundin e lojës.
Ndonëse qëndroi në hije për pjesën më të madhe të sfidës, Haaland shpërtheu pikërisht atëherë kur kombëtarja e tij kishte më shumë nevojë. Në minutën e 80-të, ai shfrytëzoi në maksimum një asist perfekt nga zëvendësuesi Andreas Schjelderup për të zhbllokuar shifrat me kokë. Pak minuta më vonë, i njëjti dyshe bashkëpunoi sërish: Schjelderup shërbeu dhe Haaland shënoi golin e dytë personal, duke vulosur fatin e takimit dhe duke u ngjitur në kuotën e 7 golave në këtë Botëror — aq sa Lionel Messi dhe Kylian Mbappe.
Krejt në fund të shtesës, Neymar shënoi nga penalltia për Brazilin, por ky gol shërbeu vetëm për statistika.
Ndeshja nisi me ritëm të çmendur. Norvegjisë iu anulua fillimisht një gol i Patrick Berg për pozicion jashtë loje. Më pas, Brazili shpërdoroi një shans të artë kur Bruno Guimaraes gaboi nga pika e bardhë, pas një penalltie të fituar nga Matheus Cunha — gjuajtje që u ndal nga portieri norvegjez, Orjan Nyland, i cili bëri një paraqitje heroike me disa pritje vendimtare.
Ky eliminim shënon dështimin më të hershëm të Brazilit në një Kupë Bote që nga viti 1990 në Itali. Për më tepër, “Seleçao” konfirmon mallkimin e madh përballë skuadrave evropiane në fazat me eliminim direkt, të cilat nuk i mposht dot që nga viti 2002, kur u shpall për herë të fundit kampion bote./E.A/
