UBT News

Guardiola flet për të ardhmen pas humbjes së titullit: Do të vendos pas bisedës me presidentin

Manchester City humbi zyrtarisht garën për titullin kampion pas barazimit 1:1 ndaj Bournemouth, duke i hapur rrugën Arsenalit që të shpallet kampion i Anglisë pas 22 vitesh pritjeje.

Pas ndeshjes, vëmendja u përqendrua te trajneri Pep Guardiola dhe e ardhmja e tij në klub, pas raportimeve të publikuara nga Daily Mail se tekniku spanjoll mund të largohet në fund të sezonit.

Në konferencën për shtyp, Guardiola pranoi se lajmet e publikuara para takimit mund të kenë ndikuar te skuadra.

“Mund të them vetëm se kam edhe një vit kontratë dhe, nga përvoja ime, kur dalin lajme të tilla gjatë sezonit, zakonisht sjellin rezultate negative”, deklaroi ai.

Megjithatë, Guardiola mohoi se ka marrë një vendim përfundimtar për largimin nga Manchester City dhe theksoi se fillimisht do të diskutojë me drejtuesit e klubit.

“Personi i parë me të cilin do të flas është presidenti im. Kemi vendosur prej kohësh që në fund të sezonit të ulemi dhe të bisedojmë. Vetëm atëherë do të marrim një vendim së bashku”, u shpreh Guardiola.

Ai shtoi se nuk do ta bëjë publik vendimin për të ardhmen para se të bisedojë me presidentin Khaldoon Al Mubarak, lojtarët dhe stafin e tij.

Në fund, trajneri spanjoll uroi Arsenalin për fitimin e titullit të Premier League, duke pranuar suksesin e “Topçinjve” pas një sezoni të gjatë dhe të fortë konkurrues.

 

Exit mobile version