Ata u takuan me ndërmjetësimin e një shoku të përbashkët në Los Angeles. David Bowie ishte gjeniu i rock and roll-it dhe krijuesi i hiteve sikurse “Ziggy Stardust” dhe “Space Odity”. Iman ishte supermodele nga Somalia, që fliste pesë gjuhë, bukuria dhe inteligjenca e së cilës magjepsi botën e modës dhe më gjerë.
“David ishte dashuri në shikim të parë”, deklaroi mes tjerash Iman, bashkëshortja e të ndjerit, David Bowie.
Të martuar në Firence të Italisë më 6 qershor të vitit 1992, nuk kishte çift më të lezetshëm sesa David Bowie dhe Iman. Ata e gjetë lumturinë në qytetin e New York-ut.
“E njoh atë si David Jones, emri i tij i vërtetë. Jo si yll”, deklaroi Iman.
Storia e tyre e dashurisë ishte tejet private, por tani, mbi pesë vjet që nga vdekja e tij, ajo solli një linjë parfumi, Love Memoir, e disponueshme në HSN dhe hsn.com, dedikim për “romancën e tyre epike”.
Ideja i erdhi teksa po jetonte në shtëpinë e tyre në male në veri të New York-ut. Në vitet e para pas vdekjes së tij, kishte qenë e dhimbshme për të të kalonte shumë kohë atje.
“Unë thjesht u trishtova shumë dhe doja të kthehesha me nxitim në qytet. Mendova se e kisha tejkaluar (humbjen), por jo ende”, deklaroi ajo.
Por gjatë izolimit për shkak të pandemisë, ajo gjeti qetësi në pikturat e tij të preferuara, librat e tij të preferuar, dhe në perëndimet e diellit që të dy i donin.
Ishte një histori dashurie e nisur në vitin 1990 pasi Iman u transferua për një kohë të shkurtër në Los Angeles.
“Unë kurrë nuk e kisha ndërmend të shkoja atje”, kujton ajo. “Nuk është një nga vendet e mia të preferuara. Është qytet i madh, por unë personalisht besoj tani se ky ishte fati im. Fati im më thirri të shkoja atje që të mund të takohesha me Davidin”.
Pas takimit të parë, ajo kujton se si fluturoi drejt Parisit për ta përcjellë shfaqjen e shokut të saj në pasarelë, Thierry Mugler. Kur ajo arriti në dhomën e hotelit, ishte e mbushur me trëndafila. Kur u kthye në Los Angeles, ai e priti në aeroport.
“Kështu filloi. Ai më ka tërhequr”, deklaroi ajo mes tjerash.
Ajo thotë se nuk mendon të martohet sërish. Kur vajza e pyeti rreth kësaj çështje, ajo tha: “Jo. Jo nuk do të martohem. Ende jam e martuar. Vite më parë dikush iu referua atij si bashkëshorti im i ndjerë, unë i thashë “Jo. Nuk është bashkëshorti im i ndjerë. Ai është bashkëshorti im”.
David Bowie vdiq më 10 janar të vitit 2016, në moshën 69-vjeçare, pas një beteje me kancerin./UBTNews