Greqia ka nisur sërish përpjekjet për të tërhequr nga Muzeu Britanik skulpturat antike të marra mbi 200 vite më parë nga Partenoni, tempulli i ndërtuar në kodrën e Akropolit në nder të hyjneshës Athina, nga e cila ka marrë dhe emrin kryeqyteti grek.
Giannis Oikonomou, zëdhënësi i qeverisë tha para gazetarëve se kjo do jetë një ndër çështjet që do të diskutohet në takimin e të martës midis kryeministrit britanik Boris Johnson dhe homologut të tij Kyriakos Mitsotakis.
Shtatëmbëdhjetë skulpturat e mermerit, bashkë me një pllakë të madhe që shërbente si ornament i monumentit 2.500 vjeçar të Akropolit, u morën nga Lordi Elgin, ambasadori britanik në Perandorinë Osmane gjatë shekullit të 19-të. Sipas Britanisë, Lordi Elgin i kishte marrë skulpturat në mënyrë ligjshme gjatë periudhës së sundimit osman.
Kërkesa mbështetet nga Kombet e Bashkuara
“Detyrimi për të kthyer skulpturat e Partenonit i përket plotësisht qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar”, tha Oikonomou, ndërsa shtoi se kërkesa e Greqisë për bisedime bilaterale mbi këtë çështje ka marrë dhe miratimin e UNESCO.
Greqia kërkon të ekspozojë skulpturat, në rast se ato kthehen, në muzeun e ri të Akropolit që u çel në 2009.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi të premten se skulpturat i duhen rikthyer Athinës dhe i kërkoi Londrës që të bisedojnë për ta arritur këtë.
Por kryeministri britanik ka mbajtur qëndrim të kundërt duke u shprehur se Britania është “pronarja legjitime e mermerit të Partenonit”.
Nga ana tjetër muzeu britanik pretendon se ato janë pjesë e “trashëgimisë së përbashkët”.
Greqia ka kërkuar vazhdimisht rikthimin e skulpturave që kur fitoi pavarësinë në 1832.