UBT News

Göbeklitepe apo “Pika zero në histori”

Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë dhe Agjencia turke e Zhvillimit dhe Promovimit të Turizmit (TGA) këtë javë organizojnë programin “Taş Tepeler” për promovimin e lokaliteteve arkeologjike të Epokës Neolitike që ndodhen në Turqinë juglindore. Në këtë program marrin pjesë arkeologë dhe gazetarë nga e gjithë bota, ndërsa pjesë e saj është edhe përfaqësia e Anadolu Agency (AA) në Shkup.

Ndër lokalitetet më të rëndësishme të vizituara deri më tani është “Göbeklitepe”, i cili ndodhet në afërsi të qytetit Şanlıurfa dhe i cili është i vjetër mbi 11.500 vjet, respektivisht daton rreth vitit 9.500 p.e.s. Në të ndodhen struktura rrethore me shtylla shkëmbi që besohet të ketë shërbyer si tempull, e që paraqesin megalitet më të vjetra në botë të zbuluara deri më tani.

Shtyllat prej guri, më e madhja e të cilave është rreth 7 metra e lartë, 3 metra e gjerë dhe peshon rreth 50 tonë, janë në formën T, ndërsa në to janë të gdhendura portrete njerëzish dhe kafshë të ndryshme.

Arkeologu përgjegjës gërmimet në Göbeklitepe, Lee Clare, pjesë e Institutit Arkeologjik Gjerman, duke rrëfyer për lokalitetin thotë se ai ka potencialin për të ndryshuar historinë e njerëzimit siç e kemi njohur deri më tani. Sipas tij, ky lokalitet dëshmon për ndryshime të mëdha në mënyrën e jetesës së njerëzve të asaj kohe, siç është bujqësia, fillimi i ruajtjes së kafshëve shtëpiake që janë përdorur për bujqësi, duke shtuar se para kësaj, njerëzit kryesisht janë marrë me gjueti.

Ai këtë e mbështet edhe në gjetjet e shumta në lokalitetin arkeologjik, që përfshijnë mjete primitive pune siç janë gurët e gdhendur.

Arkeologu Clare thotë se nuk mund të dihet saktë se për çka ka shërbyer struktura. Megjithatë, ai është i bindur se ndërtimi i saj ka kontribuuar në zhvillimin e hershëm të bujqësisë, pasi është dashur të ushqehen dhe mirëmbahen njerëzit e shumtë që janë marrë me ndërtimin e saj.

Në kuadër të lokalitetit arkeologjik ndodhet edhe një qendër për vizitorët ku janë shfaqur disa nga gjetjet arkeologjike. Qendra gjithashtu është e pajisur me kinema ku shfaqen pamje filmike për vizitorët, e njëri ndër ta është edhe dokumentari “Pika zero në histori” (Zero point in time) i përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë dhe i realizuar në bashkëpunim mes organizatës joqeveritare “Doğuş grout” dhe National Geographic.

Gërmimet dhe konservimi

Hulumtimet e para në lokalitetin arkeologjik Göbeklitepe janë bërë në vitin 1963 nga Universiteti i Stambollit dhe Universiteti i Çikagos. Rëndësia e lokalitetit u vërejt nga arkeologu gjerman Klaus Schmidt, i cili udhëhoqi gërmimet e para që filluan në vitin 1995. Që atëherë kanë vijuar gërmimet, ndërsa deri më tani besohet se janë gërmuar më pak se 5 për qind e lokalitetit të tërë.

Lokaliteti u radhit në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në 2018, duke njohur vlerën e jashtëzakonshme universale.

Në kuadër të programit u organizuan edhe seminare me pjesëmarrje të arkeologëve dhe përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, ku u theksua nevoja për bashkëpunim mes institucioneve qeveritare, organizatave joqeveritare dhe popullsisë vendase.

Muzeu Arkeologjik i Şanlıurfa-s

Gjatë programit është vizituar edhe Muzeu Arkeologjik dhe Mozaikeve i Şanlıurfa-s. Në të janë shfaqur gjetjet e shumta nëpër më shumë lokalitete arkeologjike përreth si dhe është bërë një rindërtim i strukturës në “Göbeklitepe”, si do të dukej ajo në të vërtetë.

Ndër gjetjet tjera më të rëndësishme që shfaqen në këtë muze, është statuja “Njeriu i Urfës”, e cila është gjetur në pjesën e vjetër të qytetit Şanlıurfa rreth liqenit Balıklıgöl dhe e cila daton rreth vitit 9.000 p.e.s, që e bën atë statujën më të vjetër të njeriut të gjetur deri më tani. Statuja është rreth 1,9 metra e gjatë, ndërsa është gjetur në vitin 1993 gjatë disa aktiviteteve ndërtimore.

Gjithashtu, në kuadër të muzeut janë të shfaqura edhe mozaikë të periudhës helene, romake dhe bizantine.

Exit mobile version