UBT News

Gjykata e Strasburgut regjistron padinë kundër Serbisë për pasivizimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Për herë të parë, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka regjistruar një padinë kundër Serbisë, e dorëzuar nga Teuta Fazliu, lidhur me pasivizimin e adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës, Medvegjë dhe Bujanoc.

Sipas njoftimit të avokatit Drin Grazhdani, padia synon të adresojë shkeljet e të drejtave të njeriut nga autoritetet serbe, duke përfshirë praktikat e pasivizimit të adresave jo vetëm për shqiptarët që punojnë jashtë vendit, por edhe për ata që jetojnë brenda Serbisë. Ky proces, sipas Grazhdanit, ka pasoja serioze për qytetarët shqiptarë, duke i privuar ata nga të drejtën për letërnjoftim dhe pasaportë, sigurim shëndetësor, pensione dhe e drejtën e votës.

Regjistrimi i padisë dhe pajisja me numër aplikimi nga Gjykata e Strasburgut konsiderohet një hap procedural shumë i rëndësishëm, duke marrë parasysh se më shumë se 90% e rasteve refuzohen në fazën fillestare.

Grazhdani thekson se qëllimi kryesor është që Gjykata të zbatojë procedurën e vendimit pilot (Rregulla 61), duke bërë që vendimi të mos ketë ndikim vetëm për të, por të ndalojë praktikën sistematike të pasivizimit për të gjithë shqiptarët në rajon dhe të aplikohet në raste të ngjashme.

Në njoftim bëhet thirrje gjithashtu që të gjithë qytetarët e prekur nga pasivizimi të ndjekin procedurat ligjore në Serbi, pavarësisht refuzimeve të mundshme nga autoritetet.

“Është një fitore fillestare, dhe do të jem i përkushtuar që të përfundojë me fitore të plotë,” deklaron Grazhdani.

Exit mobile version