Tenisti serb, Novak Gjokoviq tha se do të mungojë në trofetë e mëdhenj të tenisit nëse detyrohet të marrë vaksinën antiCOVID.
Në një intervistë ekskluzive për BBC, Gjokoviq ka thënë se s’është pjesë e grupit kundër vaksinimit, por se e përkrah të drejtën individuale për zgjedhje.
Gjokoviq u pyet nëse do të sakrifikonte pjesëmarrjen në turnetë tjera si Wimbledon dhe French Open për shkak të qëndrimit të tij ndaj vaksinës.
“Po, ky është çmimi që jam i gatshëm ta paguajë”, deklaroi ai.
Fituesi i 20-fishtë i Grand Slam u dëbua muajin e kaluar nga Australia pasi Qeveria ia anuloi vizën për shkak të statusit të vaksinimit.
Gjokoviq, që është tenisti numër një në botë, kishte thënë se ka marrë leje mjekësore për të marrë pjesë në këtë turne pasi sapo e kishte kaluar virusin, por shteti ia anuloi vizën.
Megjithatë, ministri i imigracionit i Australisë, Alex Hawke, ia anuloi personalisht vizën 34-vjeçarit, me arsyetimin se prania e tij mund të nxiste “trazira civile” dhe të nxiste ndjenjën kundër vaksinës.
“Nuk kam qenë kurrë kundër vaksinimit”, i tha ai BBC-së, teksa konfirmoi se vaksina ka marrë edhe si fëmijë, por thekson se gjithmonë ka përkrahur lirinë e zgjedhjes./UBTNews