UBT News

Gjilan: Gjenden pa shenja jete një 27-vjeçar dhe një foshnjë, arrestohet babi si i dyshuar

Një 27-vjeçar dhe një foshnjë janë gjetur pa shenja jete në një shtëpi në fshatin Demiraj të Komunës së Gjilanit gjatë ditës së djeshme, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Ai ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet përkatëse dhe ekipi emergjent mjekësor, ndërsa nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete.

“Më 01.11.2026 në orën 08:47 kemi pranuar informacion se në një shtëpi në fshatin Demiraj të komunës së Gjilanit, dyshohet për dy trupa të pajetë, një person i gjinisë mashkullore i vitit të lindjes 1999 dhe një foshnjë. Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete. Me vendim të Prokurorit të Shtetit trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion”, thuhet në njoftim.

Pak orë më vonë, Policia ka njoftuar se ka arrestuar një 65-vjeçar në fshatin Demiraj, i dyshuar për vrasjen e djalit të tij 27-vjeçar dhe foshnjës. Hashani ka thënë se 65-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, Hashani ka thënë se dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes.

“Me urgjencë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, Prokurori i Shtetit dhe ekipi emergjent mjekësor, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se të dy personat janë pa shenja jete. Nga hetimet e para në vendin e ngjarjes, dyshohet se incidenti ka ndodhur brenda familjes, ku në cilësinë e personit të dyshuar është arrestuar babai i viktimës, i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë”, ka thënë Hashani.

Hashani ka njoftuar se në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për ndriçimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, i cili është cilësuar si vrasje e rëndë. Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. /E.A/

 

Exit mobile version