UBT News

Gjermania: Tërheqja e trupave amerikane ishte e parashikueshme, NATO kërkon sqarime

Gjermania e ka cilësuar si të “parashikueshëm” vendimin e Donald Trump për të tërhequr rreth 5.000 trupa amerikane nga territori i saj, ndërsa NATO ka kërkuar sqarime shtesë nga Washingtoni lidhur me këtë veprim.

Në një deklaratë për agjencinë DPA, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, theksoi se prania e forcave amerikane në Evropë – veçanërisht në Gjermani – mbetet në interes të ndërsjellë si për Berlinin ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, bëri të ditur se aleanca është duke punuar me SHBA-në për të kuptuar më mirë detajet e vendimit.

I pyetur për këtë çështje, Trump deklaroi se reduktimi i trupave do të jetë edhe më i thellë se sa 5.000, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Vendimi i Washingtonit vjen pas kritikave të Trump ndaj kancelarit gjerman, Friedrich Merz, lidhur me deklaratat e tij për rolin e SHBA-së në raport me Iranin.

Aktualisht, SHBA-ja ka mbi 36.000 trupa të stacionuara në Gjermani – prania më e madhe në Evropë – krahasuar me rreth 12.000 në Itali dhe 10.000 në Mbretërinë e Bashkuar. Trump ka sugjeruar gjithashtu mundësinë e tërheqjes së trupave edhe nga këto vende.

Ky veprim është pjesë e një strategjie më të gjerë për të zhvendosur fokusin ushtarak amerikan nga Evropa drejt rajonit Indo-Paqësor. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet brenda aleancës 32-anëtare të NATO-s se një reduktim i tillë mund të ndikojë në forcën dhe kohezionin e saj.

Exit mobile version