Kombëtarja e Gjermanisë e ka mbyllur fazën e grupeve në vendin e parë, pasi shënoi një fitore bindëse me rezultat 5-0 ndaj Holandës, në një përballje ku spikati futbollisti shqiptar Brajan Gruda, me një gol të shënuar dhe dy asistime.
Gjermanët e dominuan takimin dhe zhbllokuan rezultatin në minutën e 41-të përmes Derry Scherhant, i cili shënoi pas asistimit të Joshua Kimmich. Në pjesën e dytë, “Pancerat” thelluan ndjeshëm epërsinë, duke nisur me golin e Florian Wirtz në minutën e 60-të për 2-0.
Pesë minuta më vonë, Nico Schlotterbeck realizoi golin e tretë pas një asistimi nga goditja e lirë të Brajan Grudës. Mesfushori ofensiv ishte protagonist edhe në minutën e 71-të, duke asistuar sërish për Florian Wirtz që shënoi golin e katërt. Paraqitjen e tij fantastike Gruda e vulosi në minutën e 77-të, kur realizoi golin e pestë dhe përfundimtar pas një topi të kthyer brenda zonës.
Në takimin tjetër të këtij grupi, Greqia mposhti Serbinë me rezultat minimal 1-0, falë golit të Georgios Masouras në minutën e 69-të, pas asistimit të Vangelis Pavlidis.
Pas mbylljes së ndeshjeve, Gjermania, Holanda dhe Greqia e përfundojnë grupin me nga 11 pikë secila, por falë golaverazhit superior, Gjermania renditet në krye të tabelës, ndërsa Serbia mbetet e fundit me zero pikë. /E.A/
