Një 20-vjeçar francez, i identifikuar si Miguel Mendes, është gjetur i vrarë me thikë në shezlongët e një plazhi në Ksamil në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Sipas raportimeve të A2 CNN, autor i dyshuar i ngjarjes është 29-vjeçari Sokrat Vata, nga Hasi, i cili është larguar menjëherë pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Lidhur me këtë ngjarje, Policia e Sarandës deklaroi zyrtarisht: “Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë). Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes. Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar”, thuhet në raport.
I dyshuari ka një të kaluar kriminale në Britaninë e Madhe, ku në vitin 2023 është dënuar për posedim të një arme sulmuese metalike për grusht, mbajtje kokaine dhe drejtim automjeti pa sigurim.
Po ashtu, më 13 prill 2024 në Kent, ai i iku policisë me një veturë me targa të falsifikuara që u rrotullua në autostradën A20, nga ku arriti të largohej duke lënë brenda qese me kokainë dhe targa të tjera. Vetëm dy javë më vonë, më 30 prill 2024 në Cambridge, ai u përfshi sërish në një ndjekje nga policia me një Toyota RAV4 të vjedhur. Ndërsa po tentonte të largohej, ai hodhi një pako me kokainë përpara se të arrestohej në oborrin e një shtëpie, ku doli pozitiv edhe në testin e drogës. Policia e Shtetit dhe grupi hetimor po vazhdojnë punën me intensitet në terren për kapjen e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /A2CNN/
