Një zyrtar i lartë i gjigantit rus të energjisë, Gazprom, tha se kompania nuk do të rinisë dërgesat e gazit përmes tubacionit Rrjedha Veriore 1 derisa kompania partnere gjermane të mos riparojë një pajisje që pretendoi se është me defekt.
Ky njoftim rrit shqetësime në Evropë rreth zvogëlimit të sasisë së energjisë, teksa dimri po afrohet.
Kompania partnere gjermane, Siemens Energy, tha se nuk është ngarkuar që të kryejë ndonjë riparim. Kjo kompani tha se riparimi që pretendon Gazpromi se duhet të kryhet është diçka që rregullohet me lehtësi dhe një gjë e tillë, normalisht, nuk do të duhej të çonte deri te pezullimi i dërgesave me gaz.
Gjatë një ngjarjeje ekonomike në Vladivostok më 6 shtator, zëvendësdrejtori i Gazpromit, Vitaly Markelov, tha se rinisja e dërgesave të gazit nuk mund të ndodhë “para se ata të riparojnë pajisjen”.
Gazsjellësi Rrjedha Veriore 1 është tubacioni më i madh i gazit që sjellë gaz nga Rusia në Evropë me një kapacitet vjetor prej 55 miliardë metrash kubik. Ky tubacion kalon nga Viborgu – në afërsi të kufirit midis Rusisë dhe Finlandës – për në Lubmin, në verilindje të Gjermanisë.
Liderët perëndimorë e kanë akuzuar Moskën se po përdor si armë furnizimet e saj me energji. Megjithatë, këto shtete përballen me sfida të mëdha për të gjetur burime alternative dhe metoda të tjera për prodhimin e energjisë.
Javën e kaluar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, inkurajoi evropianët që të përgatiten për një dimër të vështirë, teksa “Rusia po përgatitet që të japë një goditje vendimtare ndaj energjisë për të gjithë evropianët në këtë dimër”.
Për dekada me radhë, Rusia është akuzuar se kërcënon me ndaljen e gazit për të arritur qëllime politike. Por, deri në momentin kur presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt, Moska kishte tentuar që të shmangte ndërprerje të mëdha të gazit për shumicën e konsumatorëve evropianë.
Sanksionet financiare perëndimore dhe kundërveprimet e Moskës kanë rezultuar në rënie ose ndërprerje të mëdha të dërgesave të gazit për shumë vende evropiane që varen nga energjia ruse.
Moska vazhdimisht ka mohuar se përdor si armë furnizimet me energji.
Shtetet perëndimore kanë diskutuar për vendosjen e një çmimi tavan për furnizimet me energjinë ruse. Moska ka thënë se do të ndalonte shitjen e energjisë për çdo shtet që do të zbatonte një masë të tillë.
Po ashtu në Vladivostok, ministri rus i Energjisë, Nikolay Shulginov, tha më 6 shtator se shteti i tij do të përgjigjej nëse vendoset çmimi tavan, duke e dërguar energjinë ruse në shtetet aziatike.
Gazprom ndali furnizimet me gaz natyror përmes Rrjedhës Veriore 1 më 31 gusht, për shkak të punimeve të mirëmbajtjes, që fillimisht u tha se do të zgjasnin deri më 2 shtator. Por, më vonë, kompania shtetërore ruse se dërgesat do të mbeteshin të pezulluara.
Edhe në korrik të këtij viti, Rusia kishte ndaluar përkohësisht dërgesat e gazit përmes Rrjedhës Veriore 1 për shkak të punimeve të përvitshme të mirëmbajtjes.
Qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës dhe ka nisur të ndërpresë apo zvogëlojë dërgesat e gazit në Evropë, çmimet e gazit janë rritur dhe shtetet evropiane po përpiqen që të sigurojnë burime alternative për t’u përgatitur për stinën e dimrit.