Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe profesionale të Fakultetit të Shkencave Politike dhe të Studimeve të Sigurisë, gazetarja investigative me renome ndërkombëtare dhe fituese e disa çmimeve prestigjioze të gazetarisë, Vjosa Çerkini, mbajti një ligjëratë tematike para studentëve të programit Siguri dhe Mbrojtje, me temën: “Propaganda dhe rreziqet që paraqet për sigurinë kombëtare”.

E ftuar nga Prodekani i Fakultetit, Dr. Arian Kadriu, gazetarja Çerkini ndau përvojën e saj shumëvjeçare në terren, duke analizuar mënyrat se si propaganda, dezinformimi dhe lufta mediatike mund të ndikojnë në stabilitetin politik, sigurinë publike dhe perceptimin e qytetarëve.
Gjatë ligjëratës, ajo solli shembuj konkretë nga rajoni dhe skena ndërkombëtare, duke shpjeguar se si aktorë të ndryshëm përdorin propagandën si mjet për të ndikuar në opinionin publik, për të manipuluar narrativat dhe për të cenuar sigurinë kombëtare.
Në diskutim u theksua rëndësia e gazetarisë së përgjegjshme dhe të bazuar në fakte, si një nga mburojat kryesore kundër manipulimeve mediatike dhe ndikimeve të jashtme.
Prodekani Dr. Arian Kadriu vlerësoi pjesëmarrjen e gazetares Çerkini, duke theksuar se takime të tilla u japin studentëve perspektiva reale mbi lidhjen midis komunikimit, medias dhe sigurisë kombëtare, si dhe i ndihmojnë ata të zhvillojnë mendim kritik dhe profesionalizëm në fushën e sigurisë.
Ky aktivitet përbën një shembull të përkushtimit të UBT-së për të afruar ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, duke pasuruar përvojën akademike të studentëve përmes praktikës, debatit dhe dijes bashkëkohore.
