UBT News

“Gara” për Igball Jasharin: Tri klubet e Superligës dhe Elbasani pas yllit të Drenicës

Paraqitjet brilante të sulmuesit të krahut të FC Drenicës dhe Kombëtares së Kosovës U21, Igball Jashari, kanë rënë në sy të shumë klubeve të njohura që po garojnë për shërbimet e tij.

Me 5 gola dhe 4 asistime, 20-vjeçari nga Prekazi ka qenë një nga pikat më të ndritura të Drenicës këtë edicion, duke shkëlqyer njëkohësisht edhe me fanellën e Kosovës U21.

Kampionia aktuale, Drita, nuk e ka fshehur interesimin për ta transferuar talentin drenicas dhe palët tashmë kanë nisur kontaktet e para. Megjithatë, siç mëson Telegrafi, gara është nxehur pasi edhe Ballkani dhe Gjilani janë futur fuqishëm në lojë, duke ia paraqitur zyrtarisht kushtet e tyre anësorit këmbëshpejtë, të cilin e shohin si një lojtar me të ardhme të madhe.

Përveç opsioneve në Superligën e Kosovës, një tjetër mundësi reale për Jasharin mbetet edhe kampionati shqiptar, ku skuadra e Elbasanit, e cila po lufton për titullin kampion, e ka futur në radar si një përforcim të rëndësishëm për merkaton e verës.

Pavarësisht ofertave të shumta, lojtari pritet të presë edhe dy xhirot e fundit të kampionatit për ta ndihmuar maksimalisht Drenicën drejt objektivit të mbijetesës, përpara se të marrë vendimin final se ku do ta vazhdojë karrierën e tij.

Exit mobile version