Ylli i përfaqësueses së Kosovës, Dion Gallapeni, ka reaguar përmes një mesazhi prekës pas humbjes ndaj Turqisë në fazën “play-off”, e cila i dha fund ëndrrës për kualifikim në Kampionatin Botëror.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gallapeni ka shprehur dhimbjen e tij për rezultatin, duke theksuar se ekipi dha gjithçka në fushë dhe besoi deri në sekondat e fundit, por fati nuk ishte në anën e tyre.
“Nuk ia dolëm… por kjo nuk na ndalë. Është një humbje që dhemb, sepse dhamë gjithçka në fushë dhe besuam deri në fund,” u shpreh ai.
Tutje ai u shpreh se e ndjen zhgënjimin e madh të tifozëve, por nënvizoi se momente të tilla shërbejnë për t’i bërë lojtarët më të bashkuar dhe më të vendosur për të mos u dorëzuar kurrë.
Në mbyllje të mesazhit të tij, lojtari falënderoi publikun për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe dha një premtim të fortë se ekipi do të rikthehet edhe më i fuqishëm për të luftuar për çdo ëndërr që kanë nisur së bashku me tifozët dardanë.
