Galatasaray ka arkëtuar tri pikë me mjaft peshë në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Stuttgartin me rezultatin 2-0 në kuadër të xhiros së katërt të fazës së ligës.
Skuadra turke e nisi sfidën me një ritëm të lartë dhe arriti të krijojë epërsi të dyfishtë që në 15 minutat e para. Protagonist i padiskutueshëm i takimit ishte Alexey Batrakov, i cili realizoi të dy golat e vendasve. Fillimisht, ai shfrytëzoi një top të kthyer brenda zonës për të zhbllokuar shifrat, ndërsa tri minuta më vonë çoi peshë tifozët duke dërguar topin në rrjetë pas asistimit të Davinson Sanchez.
Gjermanët provuan të reagonin që në minutat e para, por Jamie Leweling goditi shtyllën. Në vijim, Stuttgarti rriti presionin përmes tentimeve të Chris Fuhrich dhe Deniz Undav, mirëpo portieri i vendasve, Ugurcan Cakir, u shfaq në formë të shkëlqyer duke ndalur çdo rrezik. Në pjesën e dytë, Fuhrich realizoi një gol të bukur nga distanca, mirëpo pas rishikimit në sistemin VAR, realizimi u anulua për pozitë jashtë loje.
Përbaljka u karakterizua nga një atmosferë mjaft e tensionuar në fushë, ku gjyqtari shpërndau tetë kartonë të verdhë, ndërsa në një moment shpërtheu edhe një përplasje e ashpër mes Deniz Undav dhe Baris Alper Yilmaz.
Pavarësisht trysnisë së mysafirëve, Galatasaray ruajti epërsinë deri në bilbilin e fundit. Me këtë fitore, gjiganti turk ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve në pozitën e 14-të të tabelës, ndërsa Stuttgarti mbetet në vendin e tetë me shtatë pikë të grumbulluara. /E.A/
