Galatasaray po vazhdon përgatitjet për sezonin e ri dhe së fundmi është lidhur me emrin e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi.
Sipas raportimeve të gazetës turke Sozcu, trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Muriqin për një transferim të mundshëm në klubin nga Stambolli.
Muriqi, i cili më parë ka luajtur për rivalin e madh të Galatasarayt, Fenerbahçe, thuhet se është i interesuar për një rikthim në futbollin turk. Raporti thekson se në ditët në vijim mund të ndërmerren hapa zyrtarë për të konkretizuar marrëveshjen mes palëve.
Okan Buruk dhe Vedat Muriqi njihen mirë me njëri-tjetrin, pasi kanë bashkëpunuar më parë te Çaykur Rizespor. Pikërisht nën drejtimin e Buruk, sulmuesi kosovar kishte spikatur me paraqitjet e tij të mira në kampionatin turk.
Muriqi shkëlqeu me fanellën e Fenerbahçes në sezonin 2019/2020, ku realizoi 17 gola dhe dhuroi shtatë asistime në 36 ndeshje me ekipin verdheblu.
Transferimi i mundshëm i reprezentuesit të Kosovës te Galatasaray pritet të ngjallë interes të madh në futbollin turk, duke marrë parasysh të kaluarën e tij te rivali i përbetuar, Fenerbahçe.
