Ylli i futbollit botëror, Cristiano Ronaldo, ka njoftuar zyrtarisht të enjten pensionimin e tij nga Kombëtarja e Portugalisë në moshën 41-vjeçare, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme 23-vjeçare në arenën ndërkombëtare.
Vendimi i portugezit vjen pas tensioneve të fundit me shtabin teknik gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve, ku Ronaldo e braktisi grumbullimin pasi nuk u inkuadrua ndaj Norvegjisë, ngjarje që u pasua me një dënim simbolik financiar prej 255 eurosh nga Federata e Futbollit të Portugalisë.
Përmes një letre emocionale të publikuar në rrjetet sociale, CR7 konfirmoi se ka ardhur koha për t’ia dorëzuar fanellën me numrin 7 gjeneratave të reja.
Ka ardhur dita që unë të dorëzoj fanellën me numër 7 të ekipit tonë kombëtar. Nuk kam ndier kurrë se më përkiste vetëm mua, por për 23 vjet pata privilegjin dhe përgjegjësinë ta vishja, ta mbroja dhe ta mbaja me vete në stadiume anembanë botës. Sot, ka ardhur koha ta kaloj atë në të ardhmen,” ka shkruar ai.
Sulmuesi pranoi se ky vendim nuk ishte i lehtë, por shprehu krenari të madhe për trashëgiminë e lënë pas: “Nuk ishte vendim i lehtë. Një udhëtim që filloi në gusht të vitit 2003 dhe ndryshoi jetën time përgjithmonë ka marrë fund. Kur shikoj prapa, nuk shoh vetëm ndeshjet, golat apo rekordet. Shoh miliona portugezë që u bënë pjesë e jetës sime. Futbolli është shumë më i madh se një lojë – ka të bëjë me njerëzit”.
Që nga debutimi i tij në gusht të vitit 2003, Ronaldo e transformoi Portugalinë në një nga fuqitë më të mëdha të futbollit botëror. Në 234 paraqitje zyrtare, ai realizoi 146 gola – duke mbetur golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit të kombëtareve.
Si kapiten i Portugalisë, Ronaldo udhëhoqi kombëtaren e tij drejt triumfit historik në Kampionatin Evropian “Euro 2016”, si dhe lartësoi dy trofe të Ligës së Kombeve në vitet 2019 dhe 2025.
